“Shqip” mbylli ciklin e emisioneve kushtuar turizmit dhe sezonin me një emision kushtuar Rrjolit, një ndër plazhet me bukuri të rrallë, por që shumë pak e njohin.
I vendosur fare pranë Lezhës në afërsi gjeografike, por shumë larg për shkak të mungesës së rrugës, Rrjoli është një destinacion që e zgjedhin shumë pak e që ofron shumë, që nga bregdeti, rëra e uji i pastër, kuzhina dhe vetitë kurative.
Për të folur për këtë, në panelin e gazetares Rudina Xhunga ishte i ftuar kreu i Agjencisë Kombëtare të Bregdetit, Auron Tare.
Duke folur për turizmin, ai i mëshoi më shumë idesë për të krijuar mundësitë dhe kushtet me politika të caktuara për të tërhequr një klientelë të zgjedhur, që siç tha ai, sjell më shumë para dhe nuk dëmton kulturën dhe natyrën.
“Duhet kujdes mënyra sesi udhëhiqet turizmi i një vendi. Ka shumë vende që mundohen me politika të caktuara të tërheqin një klientelë të caktuar që sjell më tepër të ardhura, nuk dëmton natyrën dhe nuk dëmton kulturën”, deklaroi Tare.
Ndërkohë, korrespondenti i Top Channel në Shkodër, Ardi Hoti u ndal tek problemi më i madh jo vetëm i kësaj zone.
“Arsyeja kryesore që nuk zhvillohet kjo zonë është çështja e pronës. Është thelbësore. Ka shumë njerëz që duan të bëjnë investime, por i tremb çështja e pronës. Puna e parë që duhet bërë këtu është plani rregullues sepse këtu nuk ndërton dot një lulishte, një park fëmijësh. Zona ka vlera kurative shumë të mëdha, por nuk ka dhoma fjetjeje, nuk ka hotele. Duhet zgjidhur çështja e pronës dhe duhet një plan urbanistik që kjo zonë të zhvillohet”, deklaroi ai.
Auron Tare përmendi ligjin e ri për turizmin, si një ndër hapat e marrë nga qeveria për t’i dhënë një tjetër drejtim në cilësi këtij sektori.
“Ka disa gjëra që kanë përmirësime. Ligji i turizmit do të japë për herë të parë guidat si profesion dhe veç të tjerash do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të punësuar të rinj dhe të reja. Jemi në një moment që ne nuk kemi mundësi që të gjithë këtë potencial që kemi ta përdorim”, deklaroi ai.
Top Channel