
Partia Demokratike ka akuzuar këtë të hënë kryeministrin Edi Rama se, paturpësisht u servir qytetarëve propagandë dhe fasadë politike për arritje e suksese në fushën e rendit, ndërkohë që pasiguria e qytetareve, sipas saj, po kap majat dhe kriminaliteti është zgjeruar e konsoliduar në rrugë e në zyrat e shtetit.
“Propagandë e pështirë, por asnjë përgjigje për skandalin e fshehjes së kërkesës së Interpolit për ekstradimin e deputetit Mark Frroku, aleatit të Edi Ramës, në shërbim të interesave politike të Edi Ramës. Më kot presin qytetarët të dëgjojnë nga kryeministri një shpjegim për kanabizimin e krejt vendit, nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim”, ka deklaruar deputeti Arben Ristani.
Ai ka theksuar se, kryeministri duhet të japë gjithashtu sqarime përse Shqipëria është rikthyer në rrugët e tregtimit të kokainës dhe heroinës.
“Edi Rama lëvdon ministrin e tij, por nuk jep as më të voglin sqarim se përse Saimiri rrinte me Durimin në zyrë, në kafe e në zona rezidenciale, kur vetë ministri e paska pranuar se ai është i dyshuari kryesor për vrasjen e bankierit Santo”, ka thënë Ristani.
Ai është shprehur se, qytetarët janë të tronditur nga këto negociata private të ministrit të Brendshëm me të akuzuarin për vrasje e krime të rënda, “ndërsa Edi Rama del e i rreh shpatullat publikisht”.
“Pakti me krimin ka kapërcyer me kohë moszbatimin e ligjit për trafikantë e banditë të lidhur me qeverinë. Ky pakt i Edi Ramës i ka dhënë krimit pushtet, zyra, vendimarrje, e ka sjellë krimin në Parlament dhe në krye të bashkive. Për këtë janë të tronditur qytetarët dhe partnerët ndërkombëtarë dhe ky është një realitet dramatik për vendin, që nuk mbulohet dot nga propaganda bajate, nga i njëjti fjalim nga fitorja në fitore”, ka thënë Ristani.
Sekretari i përgjithshëm i PD ka nënvizuar gjithashtu se, pikërisht në kohën kur po mbahej shfaqja dixhitale e Ramës, në mes të ditës del lajmi se në Rinas, një zonë e supozuar si e sigurtë, tre persona maska shfaqen të armatosur dhe grabisin një makinë.
“Pasiguria është kthyer në normë. Vrasje, grabitje me maska të tursitëve dhe qytetarëve, aksidente që marrin jetë ndodhin çdo ditë. I vetmi që nuk e sheh këtë situatë është Edi Rama, i cili provokon edhe më shumë shqiptarët duke u rrëfyer atyre një realitet që ata nuk e kanë, nuk e hasin, nuk e jetojnë. Ai po tregon forcën çdo ditë ndaj të pamundurve, ndërkohë që gangot e lidhur me qeverinë bëjnë çdo ditë paradë, shtojnë përfitimet e tyre dhe pasiguria e kriminaliteti njeh vetëm rritje”, ka shtuar Ristani.
Top Channel