Marrëveshja me Iranin, Obama: Ende asnjë argument i faktuar kundër saj

27/07/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama deklaroi gjatë kësaj të hëne se, ende nuk ka dëgjuar ndonjë argument të fuqishëm të mbështetur në fakte kundër marrëveshjes bërthamore me Iranin, si dhe kritikoi retorikën në lidhje me akordin e arritur në Vjenë nga disa drejtues të lartë të partisë Republikane.

Obama, duke folur nga Etiopia gjatë turit të tij në Afrikë, tha se shumica e shkencëtarëve bërthamorë të botës dhe ekspertët e mospërhapjes së armëve nukleare kanë mbështetur marrëveshjen e 14 korrikut, duke theksuar se kjo ishte mënyra më e mirë e mundshme për të ndalur Iranin drejt objektivit për të krijuar armë bërthamore.

“Ka një arsye, se përse 99 për qind e botës mendon se ajo është një marrëveshje e mirë, dhe kjo është se ajo vërtet është një marrëveshje e mirë”, tha Obama gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin e Etiopisë, Hailemariam Desalegn, në kryeqytetin Addis Ababa. “Lajmi i mirë është se, ende nuk kam dëgjuar ndonjë argument të bazuar në fakte, nga krahu tjetër, që mund ta vendosë në dyshim atë”, shtoi ai.

Obama tha gjithashtu se retorika ndaj marrëveshjes me Iranin, nga Mike Huckabee, i cili ka shpallur kandidaturën e tij për të qenë i përzgjedhuri i republikanëve për zgjedhjet e ardhshme presidenciale, është thjesht pjesë e një modeli komentesh, të cilat janë qesharake dhe të trishtueshme.

Obama kritikoi më tej edhe komentet e kandidatit republikan, Donald Trump, në lidhje me senatorin dhe ish-kandidatin republikan për President të SHBA-ve në vitin 2008, John McCain, një veteran lufte, për të cilat tha se debati presidencial kërkon aspekte më të mira.

Top Channel