Britania, referendum brenda një viti për BE-në. Kërcënim për të fituar koncesionet e kërkuara?

26/07/2015 00:00

Gazeta londineze e së dielës “The Independent on Sunday” njofton se, Britania do ta zhvillojë refendumin e shumëpërfolur për të ardhmen e saj, me ose jashtë Bashkimin Europian brenda 12 muajve të ardhshëm.

Kjo periudhë kohore është menduar se ofron mundësitë më të mira, që Londra të mund të sigurojë koncesionet që ajo dëshiron, nga negociatat me vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Mendohet se, njoftimi për mbajtjen e referendumit, që thuhet se do të zhvillohet qershorin e ardhshëm, do të njoftohet nga kryeministri Cameron gjatë konferencës vjetore të partisë së tij konservatore në muajin tetor.

Ditë më parë ishte Presidenti amerikan Obama, i cili deklaroi për BBC-në se, Britania do të duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian. Duket se, edhe kryeministri britanik do e dëshironte një gjë të tillë, nëse ai do të merrte ato lehtësime në kuadër të reformave që ka kërkuar publikisht, si ndryshimet për mënyrën sesi aplikojnë emigrantët nga vendet e BE-së që hyjnë në Britani, si dhe zgjedhjen e mosintegrimeve të mëtejshme të vendit në praktikat e funksionimit të BE-së nga Britania.

Situata në Eurozonë është në favor të kryeministrit britanik, ndërkohë që në frontin e brendshëm, mundësia e ardhjes në krye të opozitës laburiste të një politikani të orientuar nga e majta ekstreme, më shumë sesa qendra e majtë, si Jeremy Corbyn, që është kundër masave të ashpra ekonomike, janë faktorë që rrisin urgjencën për një referendum të tillë.

Kandidati laburist, që mendohet se mund të fitojë për kreun e partisë Laburiste, ka shkaktuar reagime të forta nga reformatorët dhe përkrahësit e ish-kryeministrit Tony Blair. Ndërkohë, 66-vjeçari Jeremy Corbyn, që kryeson në sondazhet e opinionit si njeriu më i mundshëm për të qenë udhëheqësi i opozitës, njihet si një nga politikanët laburistë britanikë, që ka qenë kundër sulmeve ajrore të NATO-s në ish-Jugosllavi, në kohën e luftës në Kosovë.

Top Channel