VIDEO/ “Berisha n’burg”, protestë jo vetëm në Tiranë, kryedemokrati pritet me thirrje kundër tij para takimit me diasporën në New Jersey Partia Demokratike, përmes deputetit Gent Strazimiri ka rikonfirmuar akuzat ndaj qeverisë për përfshirje në trafikun e drogës, duke e konsideruar një “fakt tronditës” përhapjen masive të kultivimit të drogës në Shqipëri.
“Muajt e fundit kanabisi ka lëshuar rrënjë në gjithë territorin e vendit. Nga jugu në veri, nga lindja në perëndim, harta e Shqipërisë po merr ngjyrën e drogës. Kjo është një fatkeqësi për shqiptarët, burim krimi e rrënimi, por është një biznes që po sjell fitime marramendëse për trafikantët e lidhur me qeverinë”, ka deklaruar Strazimiri.
Sipas tij, asnjëherë më parë nuk ka ndodhur pushtimi masiv i vendit nga kanabisi siç po ndodh nën këtë qeverisje, “me mbikqyrjen e ministrit të Brendshëm”.
“Është e qartë se njerëzit refuzojnë me përbuzje propagandën false e mashtruese të fidanëve e disa rrënjëve që nxjerr qeveria në ekran, gjoja si sukses të luftës ndaj drogës. Fakti është se kultivimi masiv në çdo cep të vendit ndodh me bekimin e qeverisë, me lejimin e këtij biznesi kriminal për kapot e lidhur me mazhorancën. Bie në sy veçanërisht lulëzimi i madh i drogës në territoret e bashkitë ku kanë marrë pushtetin trafikantët e njohur, si në Krujë, Tepelenë, Malësi e Madhe. Në shumë territore, tashmë janë zgjedhur baronët lokalë, të përzgjedhurit e të besuarit e Edi Ramës”, ka thënë Strazimiri.
Ai e ka akuzuar kryeministrin si frymëzuesin kryesor të kësaj fushate droge, arsye për të cilën mazhoranca po i bën rezistencë e dekriminalizimit, “megjithë denoncimet me emra nga ana e partnerëve ndërkombëtarë”.
“Ndërkohë, zgjidhet të bëhen koka turku cironkat e këtij trafiku, për të mbuluar kokat e mëdha të kanabisit dhe personat me “kontribut” në fushatën e fundit elektorale, të cilët paraprakisht kanë marrë garanci prej shtetit dhe krimit që e drejton”, ka thënë Strazimiri.
Ai është shprehur se, “kjo politike narko-enveriste e Edi Ramës po gërryen vendin duke e futur në një spirale kriminale, që do të kërkojë shumë kohë e mund për ta nxjerrë jashtë e për ta shpëtuar”.
“Po e damkos Shqipërinë si në ditët e errëta duke e kthyer në republikë të drogës. E gjitha kjo sjell përfitime për klanet kriminale të lidhura me qeverinë, por po dëmton rëndë të ardhmen e vendit, të rinisë dhe fëmijëve tanë. Partia Demokratike nuk do lejojë që droga të kthehet në model, rend e sundim. Bashkë me shqiptarët do pastrojmë Shqipërinë nga droga dhe trafikantët e vërtetë që gjendën në parlament e në qeveri”, ka shtuar Strazimiri.
Top Channel