Konstituohet Këshilli Bashkiak i Matit

24/07/2015 00:00

Këshilli i ri i Bashkisë Mat i dalë nga zgjedhjet e 21 Qershorit, mori formën zyrtare dhe ligjore të tij që do të ketë për katër vitet e ardhshme. Mbledhjen e parë të Këshillit e drejtoi fillimisht anëtari më i moshuar, që në këtë rast ishte këshilltari i partisë Fryma e Re Demokratike, Qemal Cenaj.

Më pas u ngrit komisioni i vërtetimit të mandateve për këshilltarët dhe u lexua formula e betimit.

Pika e tretë e rendit të ditës ishte mbi zgjedhjen e kryetarit të Këshillit Bashkiak. Fillimisht u ngrit komisioni i votimit e më pas u bënë propozimet e emrave nga grupet e këshilltarëve.

Koalicioni “Aleanca për Shqiperinë Europiane” propozoi anëtarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Agim Hysa, ndërsa “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” anëtarin e partisë Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Sefer Elezi.

Nga votimi i 21 anëtarëve, kryetar i Këshillit të Bashkisë Mat, u zgjodh Agim Hysa me 13 vota, ndërsa kandidati i të djathtëve, Sefer Elezi, mori 8 vota.

“Dua të premtoj para jush që në këtë detyrë të rëndësishme do të udhëhiqem nga disa parime bazë siç janë përgjegjshmëria, përkushtimi, toleranca, panashmëria dhe fokusimi i problemeve kryesore”, u shpreh Agim Hysa, që fillimisht ka falënderuar të gjithë anëtarët e Këshillit për angazhimin e tyre në zgjedhjen e strukturave.

Në pikën e katërt të rendit të ditës, këshilltarët e Bashkisë Mat zgjodhën zëvendëskryetarin e Këshillit Bashkiak. Koalicioni i majtë doli me kandidaturën e anëtarit të partisë Drejtesi Integrim dhe Unitet, Roland Sulika, ndërsa koalicioni i djathtë nuk paraqiti kandidaturë, duke bërë që Sulika të zgjidhej pa rival.

Në pikën e pestë të rendit të ditës u be deklarimi i vlefshmërisë së kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Mat, Nezir Rizvani, ndërsa më pas bëri edhe betimin.

“Të nderuar këshilltarë, ju sapo kryet betimin se në të gjithë veprimtarinë tuaj do të udhëhiqeni nga interesat qytetare dhe do të punoni me ndërshmëri dhe përkushtim për rritjen dhe zhvillimin e mirëqenies së tyre. Ju gjithashtu keni fatin që të jeni këshilltarët e parë të Bashkisë Mat dhe nga puna jonë 4-vjeçare do të varet nëse do ta kthejmë këtë njësi në një njësi vërtet funksionale”, u shpreh kryetari Rizvani.

Pika e gjashtë dhe e fundit e mbledhjes së parë të Këshillit të Bashkisë Mat, ishte mbi zgjedhjen e tre anëtarëve të Këshillit të Qarkut. Koalicioni i majtë paraqiti tre emra, Qazim Gjonin, Qemal Cenajn dhe Luljeta Skuran, ndërsa koalicioni i djathtë Lutfie Barçin, Afrim Stafasanin dhe Hysen Bukaçin.

Pas votimit të fshehtë, tre emrat që do të përfaqësojnë Bashkinë Mat në Këshillin e Qarkut Dibër, bashkë me kryetarin e bashkisë i cili është automatikisht anëtar, janë Qazim Gjoni (PS), Qemal Cenaj (FRD) dhe Luljeta Skura (LSI).

Ndryshe, nga Bulqiza ku kryetari i bashkisë dhe ai i Këshillit bashkiak i përkasin të njëjtit koalicion, në Bashkinë e Matit është ndryshe, pasi kryetari i bashkisë iu përket të djathtëve, ndërsa të gjitha pozicionet drejtuese në Këshillë i përkasin të majtës. Marrëdhënia e tyre pritet për t’u parë në vazhdimësi të këtij mandati katërvjeçar.

Top Channel