Kuvend, shtyhet votimi i pr.ligjit për turizmin

23/07/2015 00:00

Pas debateve mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi vendosi që të shtyjë votimin e projektligjit për turizmin ditën e hënë, në një seancë të posaçme.

Vendimi është marrë me konsensus nga Konferenca e Kryetarëve, pasi deputetët e së djathtës pretenduan se nuk e kanë studiuar projektligjin dhe për pasojë nuk mund të kalojë as për votim. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta tha se vendimi në fjalë i jep kohë opozitës që të shprehë mendimet e saj për projektligjin.

Deputetët e mazhorancës i kishin dërguar kreut të Kuvendit një kërkesë për të futur në rendin e ditës të kësaj seance projektligjin për turizmin. Opozita e kundërshtoi miratimin tij me argumentin se në Komisionin parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese është rënë unanimisht dakord nga anëtarët që ky draft të miratohet në shtator, kohë kur nis sesioni i ri parlamentar.

Ndërkohë, nga ana tjetër, mazhoranca pretendoi se është zhvilluar një mbledhje të hënën, ku është bërë diskutimi i këtij projektligji dhe ku opozita, edhe pse ishte njoftuar, nuk mori pjesë.

Opozita foli për një mbledhje “fantazmë”,  për të cilën nuk ishte njoftuar. “Ky projektligj nuk ka kaluar nen për nen në komisionet parlamentare”, tha kreu i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.

“Opozita nuk është përgatitur për diskutim”, tha deputeti tjetër demokrat Edmond Spaho.

Një deklaratë që tingëlloi çuditshëm për kreun e grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, në kushtet kur diskutimet janë bërë në komisione dhe përgatitja nuk kishte arsye të mungonte.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta