Durrës, më pak pushues nga Kosova; shkurtohet edhe koha e qëndrimit në plazhet shqiptare

23/07/2015 00:00

Vapa mbytëse e ditëve të fundit ka shtuar ndjeshëm fluksin e pushuesve në plazhet që shtrihen përgjatë bregut të Adriatikut. Megjithatë në plazhin e Durrësit, që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri në Plepa, operatorët turistikë pohojnë se numri i pushuesve ka njohur rënie, në krahasim me sezonet e kaluara. 

“Frekuentimi është më i ulët se vitet e kaluara. Shtimi i plazheve të reja, si dhe antireklama që i bëhet Durrësit si një plazh i ndotur dhe me çmime të larta ka ndikuar te pushuesit nga Kosova”, thotë Fatjon Bregasi, operator turistik.

Për administratorin e një plazhi privat, ulja e frekuentimit të pushuesve nga Kosova e Maqedonia këtë vit lidhet dhe me largimin e këtyre shtetasve si azilkërkues drejt vendeve të BE-së.

“Pagesat janë të dobëta, çmimet e plazhit janë të shtrenjta. Nuk e di se si e kanë menduar këta. Vjet ka qënë shumë e ngjeshur numri i pushuesve nga Kosova, sivjet është shumë e dobët”, thotë administratori i një plazhi privat.

Ndërkohë pushuesit nga Kosova që nuk mungojnë shprehen të kënaqur nga kushtet, shërbimi dhe çmimet e ofruara. Ata jetojnë e punojnë kryesisht në vendet e Europës dhe zgjedhin Durrësin, si destinacion të pushimeve të tyre.

“Mirë duket, hoteli i mirë, restoranti i mirë Dhe sot do qëndroj. Unë e shoh me Suedinë, shumë më lirë”, thotë një pushues kosovar.

“Unë jam nga Kosova por jetoj në Zvicër. Kemi ndejtur vetëm pesë ditë, sot do ikim”, shprehet një pushuese.

“Unë jam prej Tetovës por banoj në Norvegji. Plazhi shumë i mirë, dhe do u them dhe shokëve të mi në Norvegji për të ardhur këtu”, thotë një pushues nga Tetova.

Po problemet nuk mungojnë as në këtë plazh, pushuesit përballen me mungesën e nyjeve publike hidrosanitare, si dhe mbledhjen e mbeturinave.

“Pushimet kalojnë shumë mirë, por kemi një vërejtje, nuk ka banjo publike. Të gjithë shkojnë në det. Tani duhet të ketë, se u bënë 25 vjet që presin turistë në Shqipëri”, thotë një tjetër pushues.

Megjithatë plazhi i Durrësit vazhdon të jetë destinacioni turistik i preferuar për mijëra pushues nga vendi, Kosova dhe Maqedonia.

Top Channel