Tkurren sipërfaqet me grurë, fermerët në Korçë preferojnë më shumë pemtarinë

22/07/2015 00:00

Prej disa ditësh në rajonin juglindor ka nisur fushata e korrjes së grurit. Vit pas viti duket se sipërfaqja e kultivimit të kësaj kulture është duke u tkurrur.

Për shkak të kostove të larta por edhe fitimit të pakët që sjell kultivimi i grurit fermerët po orientohen drejt prodhimit të kulturave të tjera, e sidomos pemtarisë.

“Në qarkun e Korçës ka vajtur afërsisht 50 me 52% korrja e grurit, dhe rendimentin e ka 32 kuintalë për hekatër. Korrja ka vijuar përditë dhe shpresojmë që në ditët e ardhshme të mbarojë korrja e grurit. Sivjet kemi rreth 270 hektarë të mbjella më pak me grurë se vitin e kaluar. Kjo për shkak të qarkullimit të kulturave bujqësore, por dhe për shkak se fermerët tani kanë filluar orientohen drejt kulturave të tjera që japin fitime për fermerët, siç konkretisht është mbjellja e pemtoreve të reja dhe mbjellja e pemtoreve me arorë”, thotë Vullnet Gjolla, specialist i drejtorisë së bujqësisë.

Fermerët e Korçës janë të prirur që kulturën e grurit ta kultivojnë në një masë më të reduktuar, duke u fokusuar vetëm tek nevojat e tyre për konsumin vetjak, pasi edhe fitimet që mund të sjellë kultivimi i grurit janë më të ulëta në krahasim me kultura të tjera.

Top Channel