Irani refuzon çdo rikthim sanksionesh pas 10 viteve të marrëveshjes

22/07/2015 00:00

Irani nuk do të pranojë asnjë zgjatje të sanksioneve përtej 10 vitesh, ka deklaruar një zyrtar i lartë gjatë së mërkurës, në atë që konsiderohet si përpjekja e fundit nga qeveria e tij për “të shitur” një marrëveshje bërthamore me fuqitë botërore ndaj ekstremistëve skeptikë.

Abbas Araqchi, njëri prej shumë zëvendësministrave të Jashtëm iranianë, tha gjithashtu në një konferencë për shtyp se Irani do të bëjë “gjithçka” për të ndihmuar aleatët në Lindjen e Mesme, duke nënvizuar kështu mesazhin e Teheranit se, pavarësisht marrëveshjes, Irani nuk do ta ndryshojë politikën e saj të jashtme antiperëndimore.

Ajatollah Ali Khamenei, autoriteti më i lartë në Iran, tha përpara mbështetësve të tij gjatë së shtunës se politikat amerikane në rajon ishin tërësisht kundërshtuese me ato të Iranit, në një fjalim të bërë në Teheran që u shoqërua me thirrjet “Vdekje Amerikës” dhe “Vdekje Izraelit”.

Bazuar mbi akordin e arritur në Vjenë, Irani do të angazhohet për kufizime afatgjata të punës së tij të aspektit bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve të vendosura nga SHBA-të, BE-ja dhe OKB-ja. Marrëveshja u nënshkrua nga Shtetet e Bashkuara, Britania, Kina, Franca, Gjermania, Rusia dhe Bashkimi Europian.

Fuqitë bërthamore dyshojnë prej kohësh se Irani po përpiqej të krijonte bombën bërthamore, por Teherani gjithnjë e ka mohuar këtë duke thënë se programi i tij është për qëllime paqësore.

Akordi i arritur në Vjenë ishte një sukses i jashtëzakonshëm, si për Presidentin amerikan Barack Obama, edhe për Presidentin pragmatik iranian, Hassan Rouhani. Megjithatë, të dy këta udhëheqës duhet ta promovojnë atë në vendet e tyre respektive për t’u mbushur mendjen edhe ekstremistëve apo politikanëve të vijës së ashpër në secilin vend, edhe për shkak se këto dy shtete kanë qenë armiq prej dekadash të tëra.

Araqchi, negociatori kryesor i bisedimeve bërthamore për Iranin, tha në një konferencë të transmetuar në televizion se, çdo përpjekje për të rivendosur sanksionet pasi ato të skadojnë për 10 vite do të shkelte dhe anulonte marrëveshjen.

Me këtë deklaratë, ai iu referua rezolutës që miratoi marrëveshjen e që u kalua nga Këshilli i Sigurisë i Kombeve të Bashkuara të hënën. Rezoluta lejon gjithashtu që sanksionet e Kombeve të Bashkuara të mund të rikthehen automatikisht, nëse Irani shkel marrëveshjen në 10 vitet e ardhshme. Nëse Irani përmbush termat e marrëveshjes, atëherë të gjitha dispozitat dhe masat e rezolutës së OKB-së do të përfundojnë pas 10 vitesh.

Top Channel