Inaugurime deri ditën e fundit; Basha do të largohet nga zyra pa e pritur pasuesin e tij Veliaj

22/07/2015 00:00

Kryetari i Bashkisë së Tiranës në detyrë ka deklaruar se do të qëndrojë në bashki deri ditën e fundit të mandatit të tij, por ai nuk do të presë në zyrë kryetarin e zgjedhur Erion Veliaj.

Basha këtë javë ka vendosur të bëjë inagurimet e disa punëve të përfunduara të bashkisë, siç ka ndodhur  një ditë më parë me kopshtin dhe sot me çerdhen nr. 48.

Por ai theksoi se po punohet edhe për rikonstruksion rrugësh dhe blloqesh banimi.

“Përveç qindra punëve të përfunduara nga bashkia e Tiranës, puna vazhdon dhe në këto ditë të nxehta, në mbi 30 rrugë, dhe blloqe urbane të qytetit. Ndërkohë që 14 të tjera janë në proces prokurimi, puna do të fillojë brenda shtatorit. Dhe 30 të tjera janë gati për prokurim, dhe uroj që do të prokurohen brenda një viti në mënyrë që programi im ambicioz për të shtrirë urbanizimin e vërtetë, me standarde evropiane në çdo lagje të Tiranës të shkojë siç është planifikuar”, tha Lulzim Basha, kryetar bashkie.

I pyetur nëse do të presë në zyrë ditën kur të mbërrijë kryetari i zgjedhur, Erion Veliaj, Basha la të kuptohej që kjo nuk do të ndodhtë.

“Kryetari i bashkisë, që do të marrë detyrën, do të ketë të plota dosjet e punës, do të ketë të gjithë drejtuesit e sektorëve në detyrë. Një gjë siguroj që precedenti i tmerrshëm i tokës së djegur të vitit 2011 nuk do të përsëritet”, tha ai.

Kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj pritet të shkojë në zyrë javën që vjen.

Top Channel