Shqipëria e lumtur me partinë-shtet

20/07/2015 00:00

Nga Ilir Yzeiri – Pas përfundimit të zgjedhjeve të 21 qershorit u konfirmua një pandehmë e imja e vjetër që e përsëritja mes miqsh se shqiptarët janë në kërkim të një lideri që t’i çojë drejt shtetit unitar, sepse tradita jonë nuk e pranon qeverisjen demokratike, pluripartitizmin.

Ka diçka në përbërjen tonë shpirtërore që na pengon të qeverisemi me alternativa të ndryshme politike. Koalicioni i PS-së me LSI-në jo vetëm që është një koalicion fitues, por është edhe një bashkim i dëshiruar i shumicës së elektoratit shqiptar që jo vetëm projektohet aty, por e sheh këtë aleancë si mundësinë e fundit për të vazhduar rrugën e gjatë të ndërtimit të kapitalizmit shqiptar.

Shuarja e demokracisë

Nëse sot koalicioni PS-LSI kontrollon 2/3 e pushtetit qendror dhe 2/3 e pushtetit vendor ky nuk është faji as i Edi Ramës as i Ilir Metës. Ky projeksion është dëshira e shumicës dërrmuese të shqiptarëve që nuk e përfillin demokracinë përfaqësuese si formë të alternimit të pushtetit, por si formë të delegimit të pushtetit te një forcë politike që i ruan nga armiku i brendshëm dhe nga armiku i jashtëm. Është shumë interesante të analizosh strukturën shoqërore të shqiptarëve në këta njëzetë e ca vjet demokraci. Ndarja klasike mes komunistëve dhe antikomunistëve u komprometua që në fillim, sepse komunistë të devotshëm u vunë në krye të lëvizjes antikomuniste dhe antikomunistë radikalë u rreshtuan me ish-komunistët. Partitë që u krijuan qysh në fillim u vendosën pas dy lokomotivash të mëdha, pas PD-së dhe PS-së.

Mirëpo, as njëra as tjetra nuk kishin programe të ndryshme, kishin vetëm grupe të ndryshme njerëzish që e shihnin veten të rreshtuar në këto grupime në radhë të parë për shkak të origjinës. Të persekutuarit nga komunizmi, natyrisht që ishin rreth PD-së, nostalgjikët, nomenklatura komuniste, aparatçikët e lartë dhe të mesëm dhe shumica e popullit naiv që nuk kishte marrë pjesë në krimet e komunizmit, por që kishte përfituar prej tij, ishin të rreshtuar në shumicë pranë PS-së. Mirëpo, një pjesë tjetër, shumë e madhe në numër, ajo që është quajtur borgjezia komuniste, shumica e intelektualëve mendjehapur u rreshtuan me PD-në, sepse shpirti i tyre rebel dhe i lirë i afronte me grupimin e madh që kishte vënë re dhe kishte denoncuar krimet e komunizmit dhe falimentimin e atij sistemi në botë. Mirëpo shumë shpejt, PD-ja i braktisi aspiratat e demokracisë dhe të shtresave që e mbështesnin atë dhe erdhi e u rrudh në një parti autokratike që kishte si ideal dhe si filozofi vetëm sundimin dhe pasurimin klientelist. PS-ja, për shkak të traditës së saj të errët, u tregua më e kujdesshme dhe përpunoi në rrymë të kohës një ligjërim më të moderuar dhe u përpoq të mbrohej duke paraqitur një profil më njerëzor. PD-ja u dëmtua në mënyrë tragjike nga imazhi i Berishës, ndërsa PS-ja në fillim u ndihmua nga imazhi liberal i Nanos, por më vonë, kur ky imazh liberal po e dëmtonte, gjeti kurajën që ta zëvendësonte liderin e saj me një figurë që i kishte të gjitha energjitë pozitive dhe negative të borgjezisë së formuar në komunizëm dhe të ushqyer me neverinë komuniste. Ky ishte Edi Rama.

Ndërkaq, PS-ja kishte krijuar edhe traditën e përfitimit klientelist nga qeverisja. Platforma ideologjike e pragmatizmit pa asnjë moral dhe ide krijoi modelin e saj me Ilir Metën dhe ai, duke u shkëputur prej PS-së, krijoi një pol të fuqishëm që joshte gjithkënd që kishte mundësi të sakrifikonte moralin e tij për të përfituar nga prania në qeverisje. Unë njoh njerëz që vetëm për të qenë me LSI-në kanë qenë me Gjinushin, me Milon, me Ndokën. I kanë braktisur ato dhe sot janë me LSI-në. 260 mijë votat që ka Ilir Meta sot janë detashmenti i qëndrueshëm që i siguron mbështetje cilësdo forcë politike që mund të ketë mazhorancën.

Sot, në Shqipëri, jetojnë më pak se tre milionë banorë dhe të drejtë vote ose ata që votojnë nuk janë më shumë se 1 milionë e 800 mijë. Ne jemi një komunë e mërzitshme e një vendi normal. Fjala vjen, ne nuk jemi as sa gjysma e komunës së Milanos por sillemi sikur të jemi qendra e botës. Shumica e shqiptarëve që jetojnë në këtë vend, ata që vendosin fatin e qeverisjes, nuk janë as opinionstët, as gazetarët, as ata që shfaqen nëpër ekrane. Ata që vendosin për fatin tonë, ashtu si në çdo demokraci tjetër, janë publiku që ushqehet me telenovela, që dëgjon nga mëngjesi në darkë të gjitha marrëzitë dhe idiotësitë që transmetojnë mediat tona.

Kjo shumicë e heshtur është e dëshiruar që të ketë një lider të gjatë, që të flasë bukur, që të bëjë propagandë për drejtësi sociale, që të ngrejë ruspat e të prishë cepa pallatesh. Kjo shumicë e heshtur është ajo që mbajti e duartrokiti Enver Hoxhën për gati 50 vjet, sepse ai i ngjante me Skënderbeun, me heronjtë dhe dragonjtë e maleve. Edhe Edi Ramën ashtu e ka dhe ashtu po e bën.

Tani bukë thatë, ujë legeni, gjumë dhe pilaf

Lajmi më grotesk që mund të lexosh këto ditë është ai që thotë se PS-ja do të fillojë analizat në qytetet ku ka humbur. Është për të qarë dhe për të qeshur. Analiza do fillojë nga Ballshi, Pogradeci dhe Përmeti. Nuk e përmenda Shkodrën, se ajo është një punë tjetër. Jeta politike në Shqipëri analizohet apo interpretohet me stereotipitë komuniste.

Nëse një forcë politike humbet apo fiton, pas kësaj, ajo bën analiza në bazë, ashtu siç bënte dikur organizata bazë e partisë. Në vendet demokratike, nëse një parti humbet, ajo iu drejtohet institucioneve të specializuara dhe shikon se çfarë ka ndryshuar tek elektorati, cili mesazh nuk është përcjellë drejt, cila reformë nuk është artikuluar qartë dhe për këtë, në shumicën e rasteve, iniciojnë universitetet verore, në të cilat promovojnë teori politike, ekonomike apo psikologjike për të parë se çfarë prioritetesh ka sot zhvillimi demokratik, si mund të integrohen në politikë edhe dija, filozofia, mesazhet e mëdha teologjike e kështu me radhë.

Ndërsa këtu te ne, funksionarët e partisë do të nisen me makinat e errëta dhe do të mblidhen në salla të errëta gjithashtu për të vënë me shpatulla për muri ata që u shitën tek armiku, ata që nuk i thanë derrit dajë, po vajtën dhe u ulën në prehër të armikut. Pas kësaj, ata do të thirren si blushistë dhe Arben Ahmetaj ky komsomolas i ri dhe energjik i Edi Ramës do të shkrijë partinë socialiste në Përmet dhe do të shpallë platformën e re që në thelb do të ketë: luftë Blushit dhe dashuri Metës. Këto direktiva do të jepen pa praninë e medias. Pasi të ketë përfunduar analiza edhe në Pogradec e Mallakastër, PS-ja dhe LSI-ja do të dalin më të bashkuara dhe fitorja e tyre në 2017-n me të vërtetë do të jetë e thellë. Mbajeni mend do të jetë shumë e thellë, sepse tani, bukë, ujë, gjumë dhe kabuni për Bajram ne i kemi të siguruara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA