Pas Divjakës e Lezhës, ndalesa e radhës e ciklit të emisioneve kushtuar turizmit, kulturës e historisë nga “Shqip” me Rudina Xhungën ishte në Lumë të Kukësit.
Kukësi i gjithë ka se çfarë u ofron vizitorëve në të gjitha stinët, që nga natyra, kultura, traditat, kuzhina e deri tek historia.
Pjesa e parë e emisionit iu kushtua bukurive natyrore dhe turizmit, ku i ftuar ishte edhe kreu i sapozgjedhur i bashkisë, Bashkim Shehu.
Pritshmëritë janë të mëdha, sidomos nga brezi i ri që ka zgjedhur të mos e braktisë Kukësin, por të ndërtojë të ardhmen në vendlindje.
Në panel ishin të ftuar një grup të rinjsh kuksianë, të cilët kanë ngritur një shoqatë me synim rritjen e turizmit dhe bërjen e tij një mjet zhvillimi për zonën, por edhe për t’u ofruar vizitorëve kënaqësinë maksimale.
Njëri prej tyre ishte edhe Artur Kurtollari. Ai kërkoi vëmendjen e autoriteteve, sidomos të bashkisë së re për të promovuar dhe financuar turizmin, sidomos me mbështetjen për të rinjtë që kanë zgjedhur të mos e braktisin qytetin.
“Kryetari i ri ta nisë me të rinjtë”, deklaroi ai duke përmendur më pas disa prej aseteve më tërheqëse të Kukësit, siç është liqeni.
“Liqeni është një pasuri e qytetit të Kukësit, por që fatkeqësisht është i ndotur. Ndaj duhet një ndërhyrje për ta mbajtur pastër atë”, shtoi ai.
Vetë Bashkim Shehu u zotua t’ua shpërblejë me punë besimin e dhënë qytetarëve të Kukësit, për këtë përparësi do të ketë edhe turizmi.
“Besoj që do t’ua shpërblej me punë qytetarëve besimin që më dhanë. Bashkimi Europian ka pasur një projekt të qartë sesi mund të zhvillohet turizmi në Kukës. Turizmi zhvillohet nëse ofrojmë një qytet më tërheqës dhe një guidë turistike të mirëfilltë. Kukësi ka një trashëgimi kulturore të mirë, por nuk është e zbuluar, nuk është studiuar”, tha ai.
Si tepër të nevojshme për të integruar zonat dhe për të nxitur një turizëm të qëndrueshëm, të organizuar dhe jorastësor, Shehu përmendi projektet në infrastrukturë, si rrugën e Shishtavecit, atë të Shënmrisë dhe të tjera që lidhin zona me potencial turistik.
Megjithatë, Shehu tha se turizmi do kohë që të zhvillohet dhe nuk varet krejtësisht nga ajo se çfarë ofron një zonë, por edhe nga kultura dhe gjendja ekonomike.
Një tjetër ide e të rinjve ishte edhe transformimi i tuneleve nëntokësore të ndërtuara gjatë kohës së komunizmit, si në qytet ashtu edhe pranë vijës ndarëse me Kosovën, në një aset për tërheqjen e vizitorëve.
“Kukësi ka shumë tunele dhe me këto mund të bëhet diçka e bukur që të tërheqë turistët”, thotë Suzana Kurtallari.
Në pjesën e dytë, paneli u zëvendësua me historianë dhe njohës të kulturës, figurave dhe traditës së zonës. Debati u përqendrua rreth figurës së Muharrem Bajraktarit, për të cilin historiani Luigj Gurakuqi tha se është i nevojshëm një kërkim i pavarur mbi bazën e dokumenteve dhe larg gojëdhënave.
“Muharrem Bajraktari ka qenë një nacionalist reformator i prirjeve republikane. Është një nga katër figurat kryesore që në ‘41-‘42 kanë pasur çetat e tyre. Është një prej personazhe më të rëndësishme të Shqipërisë veri-lindore”, tha ai.
Top Channel