Marrëveshja me Iranin, SHBA: Opsioni ushtarak, ende i hapur

20/07/2015 00:00

Aksioni ushtarak mbetet ende një opsion i hapur për të parandaluar Iranin në zhvillimin e armëve bërthamore, pavarësisht marrëveshjes së arritur këtë javë.

Deklarata është bërë nga sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, teksa nisej për në Izrael, që do të jetë dhe etapa e parë e turit të tij në Lindjen e Mesme.

Me këtë vizitë ai po përpiqet të lehtësojë shqetësimet e Izraelit, një aleat kyç i SHBA që ka qenë zëri më kritik ndaj marrëveshjes për bërthamoret.

Por zoti Carter theksoi se, “nuk po shkoj për t’i ndërruar mendjen askujt në Izrael”. Përkundrazi, ai nënvizoi se vullneti i Shteteve të Bashkuara për të mbrojtur Izraelin mbetet i pandryshueshëm.

“Një nga arsyet pse kjo marrëveshje është pozitive është se nuk përmban asgjë që të parandalojë opsionin e ndërhyrjes ushtarake”, tha Carter për gazetarët.

Sipas tij, “kjo është një marrëveshje e mirë që heq elementët kritikë të rrezikut dhe pasigurisë në rajonin e Lindjes së Mesme”.

Në bazë të marrëveshjes mes Iranit dhe 6 fuqive botërore, Teherani zyrtar duhet të frenojë programin e tij bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi paktin një “gabim historik” që i hap, sipas tij, rrugën Iranit të ndërtojë bombën bërthamore.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta