Rama-Blushi, përplasje për mandatin e kryetarit dhe ekonominë

18/07/2015 00:00

Pas fjalës së kryetarit Edi Rama, Asambleja Kombëtare e PS vijoi diskutimet pa praninë e medias, kohë gjatë së cilës mësohet se ka patur debate.

Deputeti Ben Blushi, i cili është një zë kritik i kryeministrit Rama në publik, ka ngritur shqetësimin përse në këtë mbledhje nuk ishte përfshirë çështja e zgjedhjes së kryetarit të Partisë Socialiste, të cilit i ka mbaruar mandati.

Debati  mes Ramës dhe Blushit ka vijuar edhe më tej. Kryeministri mësohet t’i ketë thënë Blushit se, “ke braktisur betejën dhe kur të tjerët luftonin për vota, t’i luftoje kundër Partisë Socialiste”.

Qëndrimet e shprehura brenda asamblesë, Blushi i bëri publike edhe përpara medias.

“Kjo mbledhje mori një vendim që s’mund ta merrte, që të zgjidhen të gjithë anëtarët e PS në çdo strukturë e forum, me përjashtim të kryetarit të partisë. Më thoni një parti që të gjithë zgjidhen dhe kryetari jo. Kjo është një gjë arbitrare dhe kryetari mori një mandat të përhershëm, shpresojmë jo të përjetshëm”, deklaroi Blushi.

Por nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla sqaroi përse është zgjedhur ky model në zgjedhjen e kryetarit të PS.

“Ka një dallim të madh mes modaliteteve të zgjedhjes së kryetarit, kur ai zgjidhet me 1 anëtar një votë dhe kur partia fiton zgjedhjet. Modaliteti më i mirë është ai i Partisë Laburiste dhe ajo që po bëjmë ne është ndjekja e mënyrës së funksionimit të saj, si një ndër partitë më të organizuara. Ndërkohë ka edhe modalitete të tjera të lidhura kur kryetari zgjidhet nga kongresi. Rasti i PS është kur kryetari zgjidhet me 1 anëtar 1 votë dhe kur partia fiton zgjedhjet është një mandat i konfirmuar për shkak të votës popullore”, deklaroi Balla.

Gjithashtu, deputeti Ben Blushi shprehu shqetësim edhe për çështjet që lidhen me ekonominë.

“Kjo asamble duhet të kishte arsye për të bërë debat për ekonominë, që besoj se nuk është në ditët më të mira. Papunësia është rritur, arsyet për emigracion janë rritur, borxhi është shumë i lartë, korrupsioni po ashtu, ndërsa taksat janë bërë më të vështira. Nuk ka një ekuilibër logjik taksash dhe besoj se kjo asamble, ashtu si kongresi i ardhshëm do kishin arsye për të folur për këto tema”, theksoi Blushi.

Duke iu përgjigjur këtyre deklaratave, ministri Arben Ahmetaj tha se realiteti ekonomik në Shqipëri është krejt ndryshe nga ai që thotë Blushi.

“Më vjen realisht keq që miku im Ben Blushi iu referua ekonomisë si një nga elementët në rënie. Unë nuk hyj tek njerëzit që thonë se ekonomia është komplet rozë, madje besoj se ajo ka shumë nevojë për mbështetje. Por ka statistika të shkruara dhe ka qëndrime emocionale. Ne u rritëm vitin e kaluar, me korrigjim të EUROSTAT, me 2.2 për qind, u rritëm në tremujorin e parë të këtij viti në 2.82 për qind, që kapërceu parashikimin e FMN-së. Që nga momenti që kemi ardhur në zyra janë krijuar 106 mijë e 121 vende të reja pune në sektorin jo bujqësor. Gjithashtu, vetëm vitin e kaluar u krijuan rreth 16 mijë kompani të reja, që është një rekord nga gjithë periudha 23-vjecare”, tha Ahmetaj.

Top Channel