Miratohen 7 mld eurot për Greqinë

17/07/2015 00:00

Këshilli i Mekanizmit të Stabilitetit Financiar të Europës miratoi grantin afatshkurtër prej 7.16 miliardë eurosh për Greqinë, si ndihmë për të shlyer këstin e radhës të borxhit ndaj BQE-së dhe FMN-së, por edhe për të siguruar likuiditet në sistemin bankar.

Ministrat e Financës së Eurozonës ranë dakort në parim ditën e enjte për këtë shumë. Huaja do të ketë një maturim maksimumi 3-mujor dhe do të disbursohet në më shumë se dy këste.

Shuma në fjalë do të përdoret për emergjencat që ka Greqia, deri në përfundimin e bisedimeve për detajet e marrëveshjes për paketën e tretë të huasë, nga e cila Athina do të përfitojë 80 miliardë euro.

Nevoja për para ka detyruar Greqinë të nxjerrë në shitje një sërë asetesh që nga aeroportet tek autostradat, nga portet tek rrjetet e shpërndarjes së energjisë elektrike.

E në mesin e pronave shtetërore që shpresohet të sjellin para sa për të hequr një pjesë të huasë janë dhe ishujt, një treg oreksndjellës, që u rezervohet sidoqoftë vetëm atyre që ua mban xhepi të paguajnë miliona.

Top Channel