Festë edhe mes mjerimit e luftës. Fëmijët prishin hijen e vdekjes në Siri; terror në Nigeri

17/07/2015 00:00

Pas një muaji agjërimi, myslimanët në mbarë botën kanë nisur ditën e festës, lutjeve e bamirësisë.

Fitër Bajrami përmbyll kështu muajin e shenjtë të Ramazanit, një moment kremtimi edhe pas vështirësish si ato që përjetojnë fëmijët sirianë të shpërngulur nga lufta.

Në kampin e Zaatar-it në Jordani, mes atyre banesave të improvizuara, pluhurit e varfërisë, fëmijët kanë veshur rrobat e tyre më të mira e kanë dalë në tregun kryesor për të blerë ëmbëlsira e lodra.

Disa prej të miturve, paratë për këtë ditë kaq të veçantë për ta, i kishin kursyer vetë.

“Fëmijët vijnë dhe blejnë këtu. I kanë mbledhur vetë paratë, kanë kursyer përgjatë gjithë muajit të Ramazanit e tani blejnë lodra”, shprehet një shitës.

“Këto janë kënaqësitë e fëmijërisë, nga të cilat askush nuk duhet të privohet”, vazhdon shitësi; “nuk mund t’ua heqim këtë kënaqësi, as në kushtet e vështira në të cilat ndodhemi”.

Një tjetër i shpërngulur, Abu Haidar, pronari i një dyqani të vogël në këtë treg, thotë se fëmijët, i shtojnë gëzimin kësaj dite.

“Janë ata që e bëjnë të bukur Fitër Bajramin. Vijnë rrotull, duan të blejnë lodra, duan të dalin në rrugë e të ndihen të lumtur. Pas gjithë presionit psikologjik që kanë përjetuar në Siri e asaj çfarë përjetojnë çdo ditë këtu, me vapën përvëluese, mungesën e ujit, mungesën e kujdesit në kamp, e meritojnë të kënaqen, të ndiejnë atmosferën e festës e të kujtojnë ditët e Bajramit në Siri”, thotë Abu Haidar.

Lufta civile e Sirisë ka marrë 200.000 jetë njerëzish, 11.500 nga të cilët ishin fëmijë.

Sunitët e Irakut e festojnë sot ditën e parë të Fitër Bajramit duke i nisur kremtimet përpara shumicës shiite të vendit. Besimtarët u mblodhën në xhaminë qëndrore të Bagdadit, e cila daton që nga shekulli i 17-të. Pjesa dërrmuese e shiitëve, mjaft nga të cilët ndjekës të klerikut të lartë Ajatollahut Ali al Sistani, do t’i nisin festimet të shtunën, në 18 korrik, pasi siç thonë, hëna e re nuk i është shfaqur natën e së enjtes.

Xhamitë e kryeqytetit indonezian, Xhakarta, gëlonin sot nga njerëzit. “Fitër Bajrami, u shpreh një besimtar i intervistuar nga “Reuters”, është koha për të kërkuar falje, jo vetëm nga zoti, por edhe nga prindërit, bashkëshortët, fëmijët; me pak fjalë, është koha për një fillim të ri”.

Festën që shënon fundin e Ramazanit e kremtuan edhe palestinezët në Rripin e Gazës e ata që jetojnë në Jerusalem.

Festime pati edhe në Bangladesh e në pjesë të tjera të botës. Por kjo ditë gëzimi për myslimanët, u shënjua nga dhuna në Nigeri. Dy femra kamikaze, njëra nga të cilat ishte një vajzë vetëm 10 vjeçe, hodhën veten në erë në qytetin e Damaturu-t pikërisht në kohën kur besimtarët po bënin faljen e madhe.

Nga shpërthimet kanë humbur jetën të paktën 9 vetë. Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë e ngjarjes së rëndë, por korrespondentët e huaj kujtojnë që kur në poltronen e presidentit u ul në muajin maj Muhammudu Buhari, grupi i militantëve islamik, Boko Haram e ka përshkallëzuar ndjeshëm fushatën e tij të dhunës.

Të enjten, nga shpërthimet që kishin në shënjestër njerëzit që bënin blerjet  e Fitër Bajramit në një treg në verilindje të qytetit nigerian të Gombe-s, vdiqën gati 50 vetë.

Top Channel