LDK miraton marrëveshjen me Vetëvendosjen, mbështet Bekim Sejdiun për President të Kosovës
Gazetarët në Ballkanin Perëndimor janë të detyruar të punojnë në një mjedis armiqësor, që ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në aftësinë e tyre për të zhvilluar një gazetari kritike dhe të pavarur, pjesë thelbësore kjo e një shoqërie demokratike.
Kështu deklaron organizata Human Rights Watch, në një raport të publikuar këtë të mërkurë e të publikuar nga Radio Europa e Lirë.
“Autoritetet në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi duhet të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të krijuar një mjedis të sigurt për veprimtarinë e medieve dhe t’i japin fund mosdënimit të krimeve kundër gazetarëve”, theksohet në raport.
Raporti prej 69-faqesh, me titull “Një Profesion i Vështirë: Liria e Medias nën Sulm”, dokumenton sulme fizike dhe kërcënime, duke përfshirë edhe ato me vdekje, ndëshkime në formën e paditjeve në gjykatë dhe fushata përgojuese kundër gazetarëve në Bosnjë Hercegovinë, Kosovë, Malin e Zi dhe Serbi.
Raporti, të cilit i referohet “REL”, bazohet në intervista me 86 gazetarë, të cilët raportojnë mbi çështje delikate si krimet e luftës dhe korrupsioni nga të katër vendet e Ballkanit Perëndimor.
Human Rights Watch dokumenton edhe disa raste sulmesh nëpërmjet internetit kundër medieve online që kanë mbajtur pozicione kritike ndaj qeverive. “Asnjë nga vendet nuk është duke i hetuar apo kaluar në proces penal sulmet kundër gazetarëve në fjalë”, vijon raporti.
Top Channel