Desir: Franca mbështet integrimin europian të Shqipërisë

15/07/2015 00:00

Kreu i Kuvendit Ilir Meta është takuar me Sekretarin e Shtetit për Çështjet Evropiane të Francës, Harlem Desir. Franca tha zoti Meta, është një partner i rëndësishëm për zhvillimin e Shqipërisë.

Në këtë drejtim, u shpreh kreu i Kuvendit, inkurajohet rritja e bashkëpunimit të gjithëanshëm veçanërisht në drejtim të investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.

Desir u shpreh se vizita e tij në Tiranë lidhet ngushtë me rikonfirmimin e mbështetjes së plotë të Francës për integrimin evropian të Shqipërisë duke theksuar se Franca është e vendosur të mos lejojë lodhjen nga zgjerimi të pengojë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Më herët Desir u takua me ministren e Integrimit, Klajda Gjosha dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati.

Franca jep mbështetjen e saj për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, ka qenë mesazhi i z. Desir. Ndërsa ministrja Gjosha nga ana e saj deklaroi bindjen se “në vjeshtë do të kemi një progres raport pozitiv”.

Desir më pas do të takohet edhe me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.

Top Channel