Zaev: Nëse nuk ka zgjidhje, do të vazhdojë “shpërthimi i bombave”

14/07/2015 00:00

Nëse me ndihmën e BE-së dhe SHBA-ve nuk arrihet marrëveshje për formimin e qeverisë dhe mekanizmave që do të mundësonin demokratizimin e institucioneve dhe zgjedhje të lira, LSDM do të kërkojë alternativa të tjera për të realizuar këto qëllime.

Kështu ka deklaruar drejtuesi i opozitës maqedonase, Zoran Zaev në një takim me deputetin e Parlamentit francez, Filip Diran, si dhe me ambasadoren franceze në Shkup, Lorens Oer.

Siç bëjnë të ditur nga LSDM-ja, në këtë takim është biseduar për mundësitë që kriza politike në Maqedoni të zgjidhet me ndihmën e përfaqësuesve ndërkombëtarë.

“Janë të nevojshme garanci për implementimin e rekomandimeve të raportit të ekspertëve të KE-së, sepse fushat e shënuara si kritike janë po ato që pengojnë funksionimin demokratik të institucioneve të sistemit, të cilat janë tërësisht të partizuara, si dhe për organizimin e zgjedhjeve”, ka thënë Zaev.

Top Channel