Tsipras mundohet të bindë të tijtë për reformat. FMN: Borxhi grek i pamenaxhueshëm

14/07/2015 00:00

Kryeministri grek, Aleksis Tsipras, vazhdon të luftojë për të bindur deputetët e grupit të tij parlamentar për të mbështetur të mërkurën në Parlament marrëveshjen që ai nënshkroi me kreditorët për ndihmën financiare që do të marrë Greqia me kusht reformat e ashpra.

Burime qeveritare bëjnë me dije se ai është i vendosur të çojë deri në fund këtë përpjekje dhe kanë hedhur poshtë zërat për një dorëheqje të mundshme të tij. Megjithëse reformat pritet të miratohen edhe nga deputetët e partive opozitare, Tsipras llogarit të paktën 40 deputetë të Parlamentit që do të votojnë kundër. Më shumë se gjysma janë pjesë e shumicës parlamentare, midis tyre edhe ministra të kabinetit, ndërsa flitet orët e fundit edhe për një dorëheqje të mundshme të zv/ministres së Financave.

“Ajo që ka rëndësi sot është që qeveria t’i japë një përgjigjie grushtit të shtetit dhe të shpëtojë vendin nga përpjekjet që donin ta falimentonin atë ekonomikisht”, deklaroi Nikos Filis, kreu i grupit parlamentar të Syriza-s.

Edhe pse ka deklaruar se do të japë një mbështetje të kufizuar në votim, aleati i Tsiprasit në qeveri, dhe lideri i Grekëve të Pavarur, Panos Kamenos ka deklaruar se nuk do të bojkotojë qeverinë.

“Grekët e Pavarur mbështesin qeverinë dhe kryeministrin. Ne jemi të angazhuar për të votuar vetëm ato ligje për të cilat kemi rënë dakort në takimin e liderëve politikë”, tha Kamenos, që mban postin e ministrit të Mbrojtjes në kabinetin e Tsiprasit.

Ndërkohë që Greqia nuk ka paguar këtë të hënë një detyrim tjetër ndaj FMN-së, prej 452 mln euro,një raport sekret i këtij organizmi thekson se borxhi grek është tashmë hiperbolikisht i pamenaxhueshëm.

Në dy vitet e ardhshme do të shkojë në 200 për qind të PPB, ndërsa vetëm në 2022 do të rikthehet përsëri në nivelin që ishte në fillim të këtij viti. Për këtë FMN propozon një periudhë 30-vjeçare që Greqia të mos paguajë detyrimet ndaj huadhënësve, ose një reduktim gjenial të kredive ndaj Athinës. Nga publikimet e shtypit të huaj, që vazhdon ende të ketë në qendër të vëmendjes zhvillimet e fundit, vlen të veçohet sondazhi i fundit në mediat gjermane, sipas të cilit 52 për qind e qytetarëve janë dakort që t’i jepet Greqisë më shumë ndihmë financiare , kur para disa ditësh shumica mendonin të kundërtën.

E përjavëshmja “The Economist” shkruan këtë të hënë se pavarësisht se kryeministri grek u gjunjëzua përballë presionit të të fuqishmëve,Tsipras ka korrur katër fitore tepër të rëndësishme; ka larguar mundësinë e daljes së Greqisë nga Eurozona, ka fituar për investime një pjesë të fondit prej 50 mld euro nga shitja e pasurisë shtetërore, të cilat zonja Merkel i donte të gjitha për të shlyer borxhin, arriti të marrë rreth 35 mld euro për investime nga KE dhe ka siguruar një premtim nga huadhënësit për një ristrukturim të mundshëm të borxhit.

Top Channel