VIDEO/ “Berisha n’burg”, protestë jo vetëm në Tiranë, kryedemokrati pritet me thirrje kundër tij para takimit me diasporën në New Jersey
Reforma në drejtësi do t’i dorëzohet në tetor Kuvendit për miratim. Këtë e ka deklaruar ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, në Luksemburg, ku ka marrë pjesë në një takim të ministrave të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme.
Naço është takuar me homologen franceze, Christiane Taubira, të cilën e informoi lidhur me procesin reformues të drejtësisë. Naço tha se aktualisht ky proces është në fazën e diskutimit dhe konsultimit dhe brenda tetorit, qeveria, bashkë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës në Sistemin e Drejtësisë, do t’i paraqesë Kuvendit një paketë të plotë ligjore për miratim.
Ky fakt, theksoi ministri Naço, padyshim është inkurajues për avancimin e mëtejshëm të dosjes së Shqipërisë në procesin e integrimit dhe hapjes së negociatave.
Ministri shqiptar është takuar edhe me homologun e tij të Luksemburgut, Felix Braz, të cilit i shprehu urimet e tij për presidencën në Këshillin e Bashkimit Europian.
Në takim u diskutuan çështje me rëndësi për organizimin dhe bashkëpunimin midis vendeve të Bashkimit Europian në fushës e së drejtës penale dhe civile. Një çështje tjetër ishte dhe rishikimi i rregullave të miratuara nga Këshilli i Bashkimit Europian sa i takon njohjes së juridiksionit dhe të zbatimit të vendimeve për çështjet martesore e të përgjegjësisë prindërore.
Top Channel