Reagimet për marrëveshjen me Iranin; republikanët dhe Izraeli, kundër

14/07/2015 00:00

Marrëveshja e nënshkruar mes fuqive të mëdha dhe Iranit për programin bërthamor të këtij të fundit, ka lënë të kënaqur të gjitha palët e përfshira në bisedime.

Presidenti amerikan, Barack Obama u shpreh i bindur se marrëveshja mbyll çdo shteg për përdorimin e programit bërthamor për qëllime ushtarake prej Iranit. Obama tha përmes një adresimi televiziv, se marrëveshja garantonte një botë më të sigurtë dhe më të paqtë.

“Marrëveshja nuk është e ndërtuar mbi bazën e besimit, por mbi bazën e verifikimeve”, tha ai.

Marrëveshja u përshëndet edhe nga presidenti iranian, Hassan Rouhani, i cili tha se ujdia “hap një kapitull të ri në raportet mes Republikës Islamike dhe botës”.

Rouhani deklaroi se lutjet e popullit iranian u bënë realitet me marrëveshjen që do të heqë të gjitha sanksionet. Sanksionet asnjëherë nuk patën sukses, – tha ai – por vështirësonin jetën e shumë iranianëve.

Presidenti rus Vladimir Putin u shpreh i kenaqur nga arritja.

“Marrëveshja gjithpërfshirëse mbështetet në themele të forta të së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga përpjekjet për të vërtetuar ndonjë skenar të bazuar në përdorimin e forcës, të jeni të sigurtë se palët kanë bërë një zgjedhje në favor të stabilitetit dhe të bashkëpunimit. Rusia do të bëjë gjithçka me fuqinë e saj për të siguruar zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Vjenës, duke ndihmuar në forcimin e sigurisë globale dhe rajonale, mospërhapjen e armëve bërthamore dhe mobilizimin e  një koalicioni të gjerë në rajon për të luftuar kërcënimet terroriste”, deklaroi Putin.

Bisedimet mes grupit të ashtuquajtur 5+1, i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kina, Rusia dhe Gjermania nisën në vitin 2006, por që janë ndërprerë shpesh për shkak të ndasive të thella mes palëve, sidomos gjatë presidencës së Ahmedinejad në Iran.

Por jo të gjithë në SHBA dhe Lindjen e Mesme kanë mbetur të kënaqur nga kjo marrëveshje. Republikanët e kundërshtuan përmes kreut të Dhomës së Përfaqësuesve, John Boehner.

“Në vend që të ndalonte zhvillimin dhe përhapjen e armëve bërthamore në Lindjen e Mesme, kjo marrëveshje me siguri do të nxisë një garë të re armatimi bërthamor në pjesë të tjera të botës”, deklaroi Boehner.

Kongresi amerikan ka 60 ditë kohë për të marrë në shqyrtim marrëveshjen. Megjithatë, çdo përpjekje e republikanëve, që kanë shumicën në të dyja dhomat, për ta rrëzuar ujdinë do të vihet përballë vetos së Presidentit Obama, i cili ka paralajmëruar përdorimin e kësaj të drejte në rast së marrëveshja nuk kalon.

Edhe në Izrael njoftimi i marrëveshjes nuk është pritur mirë. Kryeministri Benjamin Netanyahu ka theksuar shpesh se një pakt me Iranin për programin e tij bërthamor do të ishte një “gabim historik”.

“Çdo marrëveshja do t’i siguronte miliarda dollarë Iranit për të financuar makinerinë e tij të terrorit dhe përhapjen e agresive të saj në Lindjen e Mesme dhe në mbarë botën”, deklaronte pak javë më parë Netanyahu, por duke u kujdesur që të qetësojë izraelitët se Izraeli është në gjendje dhe do të jetë gjithmonë për të mbrojtur vetveten.

Top Channel