Reformimi i drejtësisë, marrëveshje për numër të barabartë anëtarësh

13/07/2015 00:00

Socialistët dhe demokratët mbyllën një marrëveshje të rëndësishme që bën opozitën pjesë të reformës në drejtësi, një nga reformat kyçe për ecjen përpara me integrimin europian të vendit.

E arritur me ndërmjetësimin aktiv të partnerëve amerikanë dhe europianë, marrëveshja nuk parashikon të drejtën e vetos për opozitën, siç kërkonte ajo disa muaj më parë, por palët kanë rënë dakord që në komisionin e posaçëm të ushtrohet parimi i paritetit, ku mazhoranca dhe opozita do të kenë përfaqësim të barabartë në komision, secili nga 5 anëtarë. Pasi është tërhequr nga shumica e numrave në komision, mazhoranca ka ruajtur epërsinë e votave nëpërmjet ushtrimit të fuqisë së votës së dyfishtë të kryetarit, i cili ka rënë dakord të mos e përdorë në disa raste të veçanta, të kërkuara edhe më herët nga opozita dhe që kanë të bëjnë kryesisht me ekspertizën e ligjeve.

“Përjashtimisht në rastet kur rezultati është i barabartë, vota e kryetarit të komisionit është vendimtare, duke respektuar në çdo vendimarrje standardet ndërkombëtare të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në kosultim me ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin e Venecias”, tha Xhafaj.

“Duke pasur parasysh që procesi të përputhet me standaret europiane, kryetari nuk do të përdorë votën e dyfishtë. Pra, do të ketë një respektim të padiskutueshëm të këtyre standardeve. Për këtë ne kemi rënë dakord”, u shpreh Halimi.

Pas mbylljes së ndërmjetësimit, herët gjatë paradites, partnerët ndërkombëtarë presin që dy palë mosbesuese ndaj njëra-tjetrës të punojnë së bashku për reformën në drejtësi. Fjala konstruktivitet u përdor si nga socialistët edhe nga demokratët.

“Unë shpresoj dhe dëshiroj të besoj se roli i opozitës në këtë proces do të jetë konstruktiv”, u shpreh Xhafaj.

“Kjo është një reformë shumë e rëndësishme dhe për herë të parë këtë vit është bërë pjesë e procesit konstruktiv të reformës në drejtësi. Ne shpresojmë, që së bashku me komisionin tjetër që ka të bëjë me dekriminalizimin, të ecin në mënyrë të barabartë”, tha Halimi.

Për marrëveshjen e pazbatuar të dekriminalizimit nuk është folur prej kohësh, por për reformën në drejtesi kryeministri Edi Rama i bëri kancelares Merkel premtimin publik për ta miratuar atë deri në fund të vjeshtës.

Nëse kjo do të arrihet në konsensus me opzitën, atëherë do të jetë hera e parë që, perveç reformës zgjedhore, mazhoranca dhe opozita bëjnë së bashku një nga reformat më të rëndësishme të vendit në këto dy dekada. 

Top Channel