Pranë marrëveshjes me Iranin. Frenohen programet atomike, lehtësohen sanksionet

13/07/2015 00:00

Marrëveshja e fuqive botërore me Iranin është shumë pranë finalizimit. Palët në negociata mësohet të kenë hartuar një raport prej 100 faqesh, ku detajohet frenimi i aktivitetit nuklear të Teheranit dhe lehtësimi i sanksioneve të Perendimit ndaj republikës islamike.

Ndërkohë, Izraeli reagoi me zemërim ndaj lajmit se marrëveshja mund të arrihet ndoshta brenda ditës së martë, duke deklaruar se pakti i Vjenës do të vendoste në rrezik vetë paqen botërore.

Progresi i bërë në bisedimet me Teheranin është pranuar më herët edhe nga Sekretari i amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili tha se është optimist për arritjen e një marrëveshje, pasi ka progres në bisedime, por gjithashtu tërhoqi vëmendjen se nuk e kanë ndërmend të negociojnë gjithë jetën.

“Ne jemi këtu, sepse besojmë se jemi duke bërë një progres real. Nuk duam të nxitohemi dhe nuk duam të detyrojmë dikë që të nxitohet, por nuk do të qëndrojmë në këtë tryezë përgjithmonë”, është shprehur Kerry.

Ndërsa të hënën, ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif, tha se “nuk do të ketë asnjë shtyrje”, ndërsa shtoi se bisedimet do të vazhdojnë për aq kohë sa është e nevojshme.

Top Channel