Tronditja greke e euros, çfarë do të ndodhë me monedhën e përbashkët europiane?

12/07/2015 00:00

Nëse liderët e Eurogrupit do ta pranojnë planin e ri të Tsipras-it e do të vendosin ta ndihmojnë Greqinë, atëherë Athina do të marrë dorëzaninë e saj të tretë, çka do ta çonte në 240 miliardë euron totalin e paketave të përftuara që prej 2010-ës.

Por, ndërsa raportet në media nisën të artikulojnë planin e Gjermanisë për një “Grexit” 5-vjeçar, BBC-ja shqyrton mundësitë që do të kishtë euro për t’i mbijetuar një daljeje të përkohshme të Athinës nga zona e monedhës së përbashkët. Shqetësimi që ka mbjellë kjo ide është i madh.

Deri tani nuk ka pasur asnjë lloj diskutimi mes Bankës së Greqisë, qeverisë apo rregullatorëve dhe bankave tregtare të vendit helen mbi teknikalitetet e braktisjes së euros dhe futjes në përdorim të një monedhe të re.

Nuk është folur kurrë me autoritetet mbi atë çfarë ne do të bëjmë nëse heqim dorë nga euro; “asnjë përgatitje teknike, asgjë për të cilën ne të kemi dijeni”, është rrëfimi i një bankieri me peshë për BBC-në.

“Nëse “Grexit”-i ndodh vërtet, nuk kam as idenë më të vogël se çfarë i pret bankat greke e nëse do të rihapen ndonjëherë”, shton ai.

E thënë ndryshe, për bankat greke, ky skenar do të ishte një tmerr i vërtetë. Megjithatë makthi nuk ka për të qenë më i vogël edhe për vetë BQE-në. Një prej arsyeve është se pret kthimin e 50 miliardë eurove të dhëna hua kompanive greke e të lëshuara në formë kredish për banesa, si pjesë e kolateralit 120 miliardë eurosh të asistencës së likuiditetit të emergjencës, të ofruara prej saj e Bankës së Greqisë.

Nëse Greqia do të kthehej tek dhrahmia, familjet dhe bizneset greke do të fillonin t’i merrnin të ardhurat e tyre në monedhën e re, me një vlerë padyshim shumë më të tkurrur në raport me euron.

Por borxhi ndaj BQE-së për të dy këto kategori do të vazhdojë të mbetet në euro, çka e bën të qartë se me uljen e të ardhurave, këstet e kredive nuk do të t’i paguajnë dot më. Banka qendrore europiane do të përballej kësisoj me humbje kolosale, që mund të shkojnë mbase edhe në 35 miliardë të fshira nga 50 miliardë që është ky borxhi në total.

Përpos kësaj, edhe nëse vihet në jetë plani i Ëolfgang Schaeuble-s, investitorët do të nisin të vrasin mendjen secili do të jetë shteti i radhës që rrezikon rrëshqitjen në humnerën e mospagimit të borxhit e për pasojë një daljeje të përkohshme nga eurozona.

Kjo do t’i shtynte të tërhiqnin paratë e tyre nga vendi i perceptuar si ekonomikisht dhe financiarisht i cenueshëm, duke e çuar shtetin në fjalë një hap me pranë greminës me largimin e kapitalit, që do të minonte realisht prosperitetin e tij.

Top Channel