Kukës, shtohen helmimet nga ushqimi

10/07/2015 00:00

Mbi 30 pacientë me probleme gastro-intensinare paraqiten çdo ditë në spitalin rajonal të Kukësit. Sipas mjekëve shkak për këtë situatë janë bërë temperaturat e larta.

Mjekët i bëjnë apel të gjithë qytetarëve që të bëjnë kujdes me konsumimin e frutave apo perimeve, të cilat me qëndrimin në diell, për orë të tëra, kthehen në një burim helmimi.

“Të gjitha rastet që vijnë me helmime ushqimore janë nga frutat e tejpjekura, të shtypura dhe të buta, ose nga zarzavatet si domatet, specat, kastravecat që kanë qëndruar për një kohë të gjatë në ambientin e jashtëm. Këto fruta ose perimet janë me çmim më të ulët dhe njerëzit i blejnë ato për shkak se nuk kanë para, por ato janë edhe më të rrezikshmet për shëndetin e njerëzve”, është shprehur Mark Nufi, mjek.

Një tjetër problem është edhe qëndrimi në periudha të gjata kohore të njerëzve në diell, kryesisht të banorëve të zonave të thella, numri i të cilëve vjen duke u rritur në spitalin rajonal, që kërkojnë ndihmë mjekësore.

Mjeku Nufi jep këshilla edhe për barinjtë që ruajnë kopetë e bagëtive nëpër male.

“Ju këshilloj që të zgjohen herët në mëngjes dhe të kryejnë punët e tyre deri në orën 10:00. Prej kësaj ore e deri në orën 16:00 njerëzit nuk duhet t’i ekspozohen rrezeve të diellit”, është shprehur ai.

Top Channel