Greqia dorëzon propozimet. Parlamenti grek voton të premten masat shtrënguese

09/07/2015 00:00

Greqia ka dorëzuar në mbrëmjen e së enjtes pranë KE-së dhe Eurogrupit propozimet e saj të reformave dhe masave që duhet të marrë në këmbim të një pakete ndihme financiare nga BE-ja dhe BQE-ja,e treta brenda pesë viteve të fundit që thuhet se përmban edhe një reduktim modest të borxhit.

Pasi ka marrë edhe miratimin e kabinetit të tij, kryeministri Tsipras ka dorëzuar listën e këtyre reformave edhe në Parlamentin e vendit me qëllim që në mesditën e së premtes deputetet grekë të japin aprovimin e tyre dhe marrëveshja të bëhet ligj i shtetit.

Propozimet janë shkruar nga specialistë që ka dërguar vetë presidenti Hollande dhe do të shqyrtohen në mbrëmjen e së shtunës nga ministrat e Eurogrupit pasi të kenë marrë edhe pëlqimin e liderëve të shteteve anëtare të zonës së euros.

Vlerësime të ndryshme thonë se ndihma që Greqia do të marrë për tre vjet do të jetë mbi 50 miliardë euro, ndërsa llogaritet një sasi e konsiderueshme parash prej miliarda eurosh për rikapitalizimin e bankave.

Ndërkohë, në propozime thuhet se, një vend të veçantë zë edhe strukturimi i borxhit, për të cilin, përveç FMN-së, edhe vetë kreu i Këshillit të Europës është treguar pozitiv, me kusht që Athina të ofrojë reforma bindëse.

“Propozimi realist nga Greqia do të duhet të shoqërohet me një propozim po aq real për qëndrueshmërinë e borxhit nga kreditorët. Vetëm atëherë do të kemi një situatë të favorshme”, tha Presidenti i KiE-s, Donald Tusk.

Për herë të parë edhe ministri gjerman i Financave, Wolfgang Schauble ka deklaruar se vërtet borxhi grek nuk është i qëndrueshëm, por ashtu si edhe kancelarja Merkel shprehet se reduktimi i mirëfillte i një pjese të tij nuk lejohet nga ligjet e BE-së, ndërsa thekson se mund të gjendet një formulë për ristrukturimin e tij.

Ndërkohë, qeveria “Tsipras” ka hartuar – sipas mediave vendase, – një plan me masa të ashpra, që vlerësohen nga 10 deri në 12 miliardë euro, të cilat do të jenë kushti i marrjes së ndihmës ekonomike.

“Duam një marrëveshje, që respekton dinjitetin e vendit tonë e të popullit tonë, dhe që hap një rrugëdalje nga kriza aktuale”, tha Panagiotis Lafazanis, ministër i Energjetikës.

Flitet për ruajtjen e taksës mbi pasurinë e paluajtshme, me vlerë 2,65 mld euro edhe për dy vite, rritjen e TVSH-së tek ushqimet, çmimet e hoteleve, transportit dhe mjetet e luksit. Gjithashtu, mosha e daljes në pension shkon në 67 vjeç për të gjithë, ose në 62 vjet me 40 vite punë.

Greqia duhet të ulë edhe shpenzimet ushtarake me 600 milionë euro në dy vitet e ardhshme, ndërsa tepricat primare që duhet të plotësojë janë 1% këtë vit; 2% në 2016-n; 3% në 2017-n dhe 3.5% të PBB-së në 2018-n.

Nëse Eurogrupi aprovon paketën e ndihmës ditën e shtunë, ajo do të diskutohet edhe ditën e diel në Samitin e lartë të BE-së.

Greqia ka marrë dy paketa shpëtimi me vlerë prej 240 miliardë euro prej viti 2010 nga BE-ja dhe FMN-ja, por ekonomia e saj është tkurrur me një të katërtën, papunësia ka arritur në mbi 25%, ndërsa një në dy të rinj nuk gjejnë dot një vend pune.

Specialistët e ekonomisë shpresojnë që këtë herë paketa e tretë të përmbajë masa dhe reforma që do të rimëkëmbin vendin dhe do t’i japin fund kësaj krize që tronditi jo vetëm Greqinë, por gjithë Europën.

Top Channel