“E mërkura e zezë” e bursës në Pekin. 90% e tregut pezullon aktivitetin

08/07/2015 00:00

Bursat e aksioneve në Kinë janë në rënie të lirë, dhe situata dramatike në tregje nuk po arrin të stabilizohet, pavarësisht përpjekjeve të rregullatorëve për të frenuar humbjet.

Indeksi “Composite” i Shangait ra me 8% që në hapje, duke shkaktuar një tkurrje të vlerës së aksioneve me 30%, krahasuar me pikun e muajit qershor.

500 firma të listuara deklaruan ndalimin e shkëmbimeve, si masë paraprake për t’u mbrojtur prej tërmetit në tregjet kineze. Kryestrategu i grupit financiar britanik “IG”, Chris Weston, e quajti ditën e sotme “e mërkura e zezë”.

“Për të parën herë, Komisioni Rregullator i Sigurimeve në Kinë e pranoi se ka pasur një valë shitjesh nga paniku. Kur shohim që gati 90% e tregut pezullon aktivitetin, nuk do shumë mend ta kuptosh, se gjërat po e humbasin logjikën”, tha Chris Weston, shef i strategjisë së tregut, “IG”.

Tre trilionë dollarë llogaritet të jenë fshirë nga luhatjet e frikshme në bursën e Shangait e atë të Shenzenit.

Në Azi, sot thonë: Harrojeni tragjedinë greke, se deri të dielën e ka pushim dhe, në krahasim me atë çfarë mund t’i ndodhë Kinës, do të ishte thjesht një komedi.

Dikush guxon ta krahasojë krizën aktuale me atë të vitit 1929, ngërçi historik i “Wall Street”-it, që për vite të tëra dëmtoi edhe ekonominë reale të Shteteve të Bashkuara.

Paniku që ka përfshirë bursat kineze rrezikon ta vërë Partinë Komuniste kineze përballë një krize të besueshmërisë e të hedhë hije dyshimi mbi paktin e saj të madh me popullin, të cilit i është premtuar rritje ekonomike e mirëqenie, në këmbim të lëshimit të dorës në lëvizjet politiko-ekonomike.

Top Channel