Programi bërthamor i Iranit, bisedimet do të vazhdojnë deri më 10 korrik

07/07/2015 00:00

Negociatorët që janë duke punuar për arritjen e një marrëveshjeje për frenimin e programit bërthamor të Iranit, njoftuan të martën se kanë zgjatur bisedimet deri në datën 10 korrik.

Zyrtari për Informim në Departamentin e Shtetit, Mari Harf është shprehur se bisedimet kanë shënuar progres në çdo fushë dhe do të vazhdojnë të negociojnë me palën iraniane deri të premten.

Kjo është hera e dytë që negociatorët zgjasin bisedimet me iranianët, të cilët refuzojnë të pranojnë kushtet e shteteve më të fuqishme të botës.

“Këto bisedime janë shumë të rëndësishme, prandaj nuk po shqetësohemi për orën, por që të kemi një marrëveshje me të cilën të gjithë do të pajtohemi, edhe pse vendimet e vështira që duhet të merren nuk do të lehtësohen me kalimin e kohës”, është shprehur Harf.

Në rast se do të kemi një marrëveshje, atëherë ajo do të ishte arritja më e madhe dhe më e rëndësishme në disa dekada, drejt zbutjes së armiqësisë mes SHBA-ve dhe Iranit, armiq të betuar që prej ngjarjes së vitit 1979, kur revolucionarë iranianë morën 52 pengje në Ambasadën amerikane në Teheran.

Top Channel