Britania e Madhe ka kujtuar 52 viktimat e sulmeve teroriste që ndodhën më 7 korrik 2005 në disa stacione metroje dhe autobusi në Londër. Të mbijetuarit e këtyre sulmeve dhe të afërmit e atyre që vdiqën morën pjesë në një ceremoni në Katerdralen e Shën Palit.
Pasi u mbajt një minutë heshtje, katër qirinj u ndezën si shenjë për katër shpërthimet që ndodhën në katër vende të ndryshme, ndërsa u lexuan emrat e të 52 viktimave të këtij sulmi.
Stacionet ku ndodhën shpërthimet, në orën 8:50 me kohën lokale, mbajtën një minutë heshtje. Në këtë orë, 10 vite më parë ndodhi edhe sulmi i parë.
Më herët, kryeministri David Cameron dhe kryebashkiaku i Londrës, Boris Johnson ishin në mesin e shumë personaliteteve që vendosën kurora me lule në Hyde Park.
“Dhjetë vjet mund të kenë kaluar, por ne nuk kemi harruar. Ne nderojmë sot viktimat e 7 Korrikut, ata do të jenë përgjithmonë në zemrat e njerëzve të këtij qyteti”, u shpreh kryebashkiaku Johnson.
Tre shpërthime ndodhën në tre stacione metroje dhe një tjetër në një autobus. Në orën 8:50 me kohën lokale, shpërthimi i parë u dëgjua në Russell Square ku humbën jetën 26 persona, i dyti në Edgware Road ku humbën jetën gjashtë persona si dhe i treti në Aldgate ku vdiqën shtatë vetë.
Pothuajse një orë më vonë, një shpërthim i katërt në një autobus dykatësh shkaktoi vdekjen e 13 personave të tjerë në Tavistock Square. Nga këto sulme për të cilat u fajësua Al-Qaeda, u plagoën mbi 700 vetë.
Top Channel