Shkollat, sërish të mbingarkuara. Ka mungesë objektesh dhe dyndje fëmijësh

06/07/2015 00:00

Edhe këtë vit shkollor, mbi 90% e shkollave të kryeqytetit do të vijojnë të jenë me dy turne. Drejtoresha e Drejtorisë Arsimore, Arjola Byzyka, tha se lëvizjet e qytetarëve drejt Tiranës vijojnë të jenë të mëdha dhe kërkesat e prindërve janë veçanërisht për disa shkolla në qendër të kryeqytetit, ndërsa shumë të tjera në periferi rrezikojnë të mos kenë klasa të para.

“Është një problem përtej sistemit arsimor sepse ka të bëjë me migrimin e brendshëm, i cili nuk është i kontrolluar. Tirana vlerësohet me një standard të shërbimit arsimor shumë të mirë dhe kemi nxënës nga rrethet që banojnë me qira, vetëm për t’u arsimuar në Tiranë. Kemi një numër të madh shkollash të cilat presin çdo ditë fëmijë nga zonat periferike, zona që kanë shkolla, por që nuk frekuentohen”, shpjegon Byzyka.

Nxënësit e klasave të para dhe të gjashta këtë vit do të mësojnë me kurrikula të reja, çka do të sjellë edhe ulje të ngarkesës mësimore në klasat e gjashta për lëndën e historisë dhe të kimisë: “Kemi rënie të orëve të mësimit në histori dhe kimi. Këto orë do të kompensohen me 2 orë lëndë me zgjedhje në javë”.

Edhe pse po kërkohet që në një klasë mos të regjistrohen më shumë se 32 nxënës, në disa shkolla të Tiranës është e pamundur.

Top Channel