Merkel-Hollande: Dyert ende të hapura për negociata, por koha po kalon…

06/07/2015 00:00

Qeveria gjermane sinjalizoi se do të vazhdojë të mbajë një linjë të ashpër kundrejt Greqisë, teksa këtë të hënë, Kancelarja Angela Merkel ka bërë të ditur se nuk ka ende baza të qenësishme për t’u ulur në negociata të reja për shpëtimin, si dhe ka këmbëngulur se është në dorën e Athinës të lëvizë shpejt, nëse dëshiron të ruajë vendin e saj në Eurozonë.

Duke qenë se opinionet brenda koalicionit qeverisës të Gjermanisë janë përkeqësuar edhe më tej pas refuzimit të kushteve dhe masave shtrënguese europiane gjatë referendumit të së dielës, Merkel shtoi se pret që Athina të hartojë me shpejtësi planet e reja të reformave, ndërkohë që zëdhënësi i saj në mënyrë jo të drejtpërdrejtë shtoi gjasat e një “Grexit” nga blloku i monedhës së përbashkët.

Merkel, e gjendur në Paris për të nisur diskutimet e reja mbi krizën greke pas referendumit, tha se qeveria greke duhet të vendosë mbi tryezë propozimet e reja brenda kësaj jave, veçanërisht kur kërkesat për të nisur negociatat mbi një program konkret ndihme nga fondi i shpëtimit të Eurozonës nuk kanë qenë të paraqitura.

“Do të jetë e rëndësishme nesër, që kryeministri grek të na thotë sesi mund të procedojmë më tej dhe çfarë sugjerimesh specifike do të dorëzojë ndaj nesh për një program afatmesëm që do të çojë Greqinë drejt prosperitetit dhe rritjes ekonomike sërish”, tha Merkel nga Parisi, gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin Francois Hollande, me të cilin duket se rakordoi qasjet dhe qëndrimet e përbashkëta për situatën e Greqisë.

Ajo shtoi se “dyert janë ende të hapura për negociata”, por edhe se “koha është thelbësore në këtë moment” dhe se për Eurozonën, në mnyrë që të ruajë monedhën e saj të përbashkët, duhet që të gjithë vendet anëtare të mbajnë përgjegjësi, ashtu sikurse të tregojnë edhe solidaritet.

Ndërsa Hollande tha: “Tani është në dorën e kryeministrit të Greqisë dhe qeverisë së tij që të na ofrojë propozime serioze dhe të besueshme, të cilat do të na japin prosperitet dhe zgjidhje afatgjate të problemit. Vetë Athina ka nevojë për një perspektivë që të qëndrojë në Eurozonë dhe të zbatojë rregulla të qarta, ashtu sikurse vetë zona e euros e bën. Por i druhem se nuk ka shumë kohë”.

Në anën tjetër, zv.kancelari gjerman, Sigmar Gabriel, shkoi edhe më tej në linjën e ashpër, duke thënë se qeveria greke duhet të përmirësojë propozimet e saj të së kaluarës.

“Nëse Greqia kërkon të qëndrojë në Eurozonë, qeveria greke duhet të bëjë një ofertë substanciale që të shkojë përtej dëshirave dhe vullnetit të tyre të treguar deri më tani”, tha Gabriel, udhëheqës i SPD-së, partneri i vogël i koalicionit qeverisës gjerman.

“Për popullin grek, jeta mund të bëhet edhe më e vështirë në ditët dhe javët e ardhshme. Falimentimi përfundimtar i vendit është tashmë një kërcënim i pashmangshëm”, shtoi ai.

Top Channel