Besnik Gjongecaj – Nuk është fjala për djegien e Shqipërisë; as për bandat e jugut, për zvarritje trupash në sheshe qytetesh, për tanke që gërryenin tokën e këtij vendi, për arratisje shqiptarësh…
Nëse e ke vizatuar atë vit në memorie dhe ke bërë pjesë të saj gjithçka që i dha fytyrën e djallit atij viti të mallkuar, pra, nëse ke memorizuar edhe shkoqjen e PD, do të kuptosh lehtësisht se e tillë, një pirg rëre, rrënjëshkulur, kjo parti është kalcifikuar në relievin e të gjitha tablove politike të pas ’97. Prandaj edhe në tablonë politike të vitit 2013, të vitit 2015. Shumë gjëra kanë ndryshuar që prej atij viti. Shqipëria e kërrusur ka filluar të drejtojë trupin, eshtrat e deformuara nën peshën e rëndë të bijve që s’e deshën kurrë. Ajo që nuk ka ndryshuar është PD. Që prej atij viti ajo mbeti një grupim autokratik, nën sundimin e kryetarit-autoritar, e zënë në grackë njëherë e përgjithmonë nga kulti i individit. Pa asnjë profil politik të dallueshëm, përkundrazi, të mjegullt, veshtullor, pa konture, pa kockë. Një grupim amorf që nuk mësoi asgjë me gjithë goditjen fatale të vitit ’97. Që nuk mundi të shndërrohet kurrë në një institucion politik.
* * *
Viti ’97 ishte sa i zi, po aq edhe një shans që PD të rithemelonte vetveten. Në shënimet e asaj kohe kam ruajtur fjalën e dorëheqjes sime para Këshillit Kombëtar, në prill të ’97-s. Për herë të parë në një mbledhje të PD thashë atë që të gjithë druheshin ta thoshin: që problemi më serioz i partisë është shkalla e ulët e institucionalizimit të saj. Jeta politike e PD rregullohet nga një statut i vjetruar dhe me këtë nënkuptoj atë që pushteti brenda partisë nuk “shpërndahet” midis organeve dhe autoriteteve të partisë, përkundrazi, është akumuluar në pak duar, thashë. Vetëm një shpërndarje e pushtetit do të mund të rrisë “sigurinë demokratike” të partisë, sepse sjellja apo reagimi institucional është gjithmonë më i sigurt, megjithëse më i ngadaltë, se sjellja apo reagimi individual, sado të besueshëm dhe kapacitivë të jenë individët. Reagimi si institucion i partisë, theksova veçanërisht, do të kishte frenuar me siguri ato procese degjeneruese dhe zbërthyese që ndodhën me PD në jug të vendit. Thashë, më së fundi, se meqë unë nuk arrita të kontribuoj realisht në procesin e institucionalizimit (demokratizimit) të PD, kjo gjë formon një shkak të mjaftueshëm për dorëheqjen time.
Isha i bindur që jo pak njerëz ishin dakord me mua në atë sallë morti, ku zhvillohej ajo mbledhje-procesion varrimi. Sigurisht, sipas një stili të njohur punist, kryetari gjasme i PD-së së asaj kohe, z. Shehu, u çua menjëherë pas meje për të goditur heretizmin tim. E nxora jashtë atë nga fokusi i vëmendjes dhe menjëherë, sikur ai dhe të tjerët të mos ekzistonin më, përpara meje, si një humnerë që na kishte fundosur të gjithëve brenda, m’u shfaq ai vend bosh në statutin e PD, mungesa e atij neni që ulëritshëm priste të shkruhej se ç’kishte apo ç’nuk kishte në dorë kryetari i partisë. Një statut i çuditshëm dhe një kryetar partie akoma më i çuditshëm, i cili, ngaqë nuk ishte shkruar asgjë për të, mund t’i kishte të gjitha në dorë: mua, të tjerët, strukturat, partinë. Ai nen, sigurisht, ishte lënë ashtu për z. Berisha. Tani është harruar ajo kohë, por problemet janë ekzaktësisht të njëjta për PD. PD nuk ka mësuar asgjë nga tragjedia e vitit ’97. Asgjë nga të gjitha tragjeditë, humbjet, tradhtitë e pas atij viti. Përkundrazi. Autoritarizmi e ka tharë përfundimisht PD. Ajo e ka humbur bazën popullore të kohës së themelimit, sepse nuk shkëmben as pushtet dhe as nuk komunikon me të. Ekzaktësisht si në 97, PD ka mbetur pa rrënjë, është shndërruar në një “parti prej letre”, të cilën, era e parë që mund të fryjë do ta zgërlaqi po ashtu si bëri 18 vite më parë. Shenjat kanë kohë që janë dhënë: 2009 (e pamundur qeverisja pa LSI); 2013, 2015.
* * *
Menjëherë pas humbjes fatale në garën politike pa LSI të vitit 2013, z. Berisha e kuptoi që më shumë se një humbje e zakonshme, zgjedhjet politike të atij viti ishin, as më shumë dhe as më pak, shpërthimi i një urrejtje popullore ndaj tij. Jo shumë e pangjashme me atë të ’97. Sipas një stili të njohur, ai nuk bëri asnjë analizë publike për humbjen, por për veten e tij e bëri një analizë, sigurisht. Do të duhet të ketë qenë produkt i kësaj analize private nevoja për të bërë sikur largohet dhe për t’ia kaluar pushtetin z. Basha, njeriut që krijoi në laboratorin e psikanalizës së tij. I cili, së paku, duhet të plotësonte tri kritere: të ishte sipërfaqësor, pa përmbajtje, pa nerv; të kishte një personalitet të dyfishtë, d.m.th të merret me politikën, por jo të jetë i lidhur me të aq sa me interesa jashtë politikës, çka e bën lehtësisht të largueshëm nga pushteti nëse do të duhet, në një të nesërme, të zëvendësohet nga dikush tjetër; dhe, kjo është më e rëndësishmja, të ishte pjesëmarrës në ngjarje që nuk do të mund të guxojë t’i tregojë kurrë dhe në asnjë rrethanë, apo nuk do të mund të mbijetojë nëse ato tregohen një ditë nga të tjerë, çka e bën edhe të telekomandueshëm. Z. Basha i plotëson të tri këto kritere. Prandaj, me të marrë pushtetin në PD, ai nuk bëri kurrë një analizë të humbjes fatale të 2013-s. Ai i mbylli në një kazan që vlon të gjitha ato që kishin ndodhur në të shkuarën e PD: autoritarizmin, kultin e individit, tharjen(atrofizimin) e strukturave të partisë për shkak të humbjes së funksionit, shndërrimin e statutit në një letër të zakonshme që as nuk e lexonte më njeri, votimin fals dhe të gënjeshtërt, emërimet atje ku duhet të bëheshin zgjedhje dhe mbi të gjitha, zgjidhjen e problemeve të partisë jashtë saj dhe me njerëz që nuk ishin as autoritete dhe as pjesëtarë të organeve të PD. Aq më shumë: krijoi një kryesi jo politike të PD-së, me njerëz që kanë përgjegjësi në nivel teknik për sektorë të caktuar dhe jo për zgjidhjet politike në nivel vendi. Duke mbetur kështu, automatikisht, i vetmi autoritar në procesin partiak (politik) të vendimmarrjes. I vetmi, por jo i pari, sigurisht. Në këtë gjendje e futi PD në zgjedhje z. Basha, me kazanin që vlonte nën kapak. Rezultati i 2015 nuk mund të ishte ndryshe, prandaj. Një rezultat të cilin, ashtu si bëri me 2013, nuk do ta analizojë kurrë në dimensionet e tij dramatike. Edhe nëse urdhërohet, ka një probabilitet të lartë që analiza të jetë vetëm sipërfaqësore, madje edhe e shurdhër, për shkak të zhurmës së borive qaramane të shkeljes së standardeve.
* * *
Nëse gjykimi mbi humbjen e PD në zgjedhjet e 2015 do të përfundonte këtu, ai do të ishte i paplotë, madje edhe cinik. Njerëzit e thjeshtë, në fund të fundit, nuk duan të dinë se ç’ndodh brenda partisë për të cilën votojnë, por se ç’ka bërë, apo ç’mund të bëjë ajo për ta, plotësimin e interesave të tyre. Në fakt, këtu edhe fillon drama e vërtetë e PD: te ajo se ç’ka bërë për njerëzit e thjeshtë të këtij vendi. Spontanisht, madje pa u kujdesur të kontrollonte procesin, me të marrë pushtetin në 2005, PD filloi të qeverisë vendin ekzaktësisht ashtu si qeveriste vetveten. E sundoi Shqipërinë me një regjim autoritarist, që u karakterizua si regjim hibrid; pra, si një regjim që vetëm shfaqjen e ka demokratike, por funksionon si autoritarist. U bë përgjegjëse për shndërrimin e korrupsionit në formë të ekzistencës së qeverisjes. Stimuloi diskriminimin politik, në çdo nivel dhe qoshe të shoqërisë, ndërsa varfëria u bë gati-gati migjeniane. Frymëzoi krijimin e një policie politike; u vuri kazmën standardeve të arsimit; sistemi shëndetësor u gërrye në mënyrë të paskrupullt. Krijoi mafien parlamentare; pandëshkueshmërinë ose ndëshkueshmërinë selektive e bëri rregull të shoqërisë, ashtu sikundër ngrirjen dhe komandimin e të gjitha institucioneve të vendit përmes klientelizmit dhe elektromanjetikës nepotike, familjare, e shndërroi në formën përmes së cilës funksiononte shteti shqiptar. Në ndërgjegjen politike të kësaj partie rëndojnë vjedhjet më të mëdha të bëra ndonjëherë në historinë e këtij shteti, që nga krijimi i tij; dhe vrasjet më makabër të bëra ndonjëherë në krejt historinë e botës demokratike. Çka e shndërroi Shqipërinë në regjimin autoritarist një hap larg vendosjes së diktaturës.
* * *
Asnjë gjykim mbi rënien dramatike të peshës elektorale të PD nuk mund të lërë jashtë vetes një fenomen politik që, në fakt, e kriminalizoi PD më shumë se çdo gjë tjetër në vitet e qeverisjes së saj. Janë të gjitha shenjat se, veçanërisht në qeverisjen tetëvjeçare, PD u interesua të ndryshojë konstitucionin politiko-moral të shqiptarëve. Ta zëvendësojë prirjen tradicionale të tyre në vlerësimin e individëve apo partive, prirje që bazohet te kritere morale, meritokracie, madje edhe të trashëgimisë patriotike e vlerave familjare, me një pragmatizëm banal dhe të shthurur. Këtë e bëri në radhë të parë duke dhënë shembuj nga vetja, si funksiononte ajo. Si përcaktoheshin deputetët në listë, si përcaktohej se kush do të ishte kandidat për një bashki, komunë, si bëhesh drejtor në ministri, si merrje një vend pune qoftë edhe fare të thjeshtë, si merrje një diplomë, si bëhesh profesor në universitet, si futesh në një tender, etj. Natyrshëm, sepse edhe nuk fshiheshin më nga sytë e njerëzve, madje përkundrazi, viheshin edhe më shumë në pah, pasi edhe nuk ndëshkoheshin, kjo mënyrë jetese e “shokëve atje lart” filloi, gradualisht, të ndryshojë mentalitetin e njerëzve atje poshtë, shqiptarëve të thjeshtë. Jo pa tronditje të thella, instinkti i mbijetesës i detyroi shqiptarët të përulen dhe të adoptojnë në jetën e tyre metoda që vetë PD-istët me pushtet aplikonin për t’ia dalë mbanë. Prandaj, s’kishte se si që shqiptarët të mos përdornin këtë mentalitet të ndryshuar (dhunuar), parimet e këtij pragmatizmi vulgar dhe të shthurur, tashmë, edhe për të vlerësuar vetë politikanët. E gjithë kjo ndryshoi edhe sistemin e vlerësimit të politikës në vend. Ai filloi të mos mbështetet te vlerat, përkundrazi, tek antivlerat. Sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe që një politikan edhe vjedh edhe votohet; edhe vret edhe votohet; edhe rren edhe votohet. Zëvendësimi i mentalitetit tradicional me atë të pragmatizmit imoral e të shthurur, u bë, prandaj, edhe shtrati më i gjerë i degjenerimit politik dhe i degjenerimit në përgjithësi të shoqërisë shqiptare. Aty, tek ai shtrat, flenë dhe riprodhohen të gjitha perversitetet: shitja dhe blerja e votave, shitja dhe blerja e diplomave, vlerësimi i politikanit mbi bazë të veseve më shumë se mbi bazë të moralit dhe respektimit të ligjit, deformimi i krejt sistemit socio-politik të vendit.
Gazeta ‘Shqip’
Top Channel