Pasojat greke në Shqipëri, “FT”: Remitancat do të pësojnë rënie të fortë

02/07/2015 00:00

Prestigjiozja britanike “Financial Times” i kushton një artikull të gjatë krizës greke dhe pasojave te saj në Shqipëri,  ku rreth 1 milion emigrantë shqiptarë jetojnë dhe punojnë në këtë vend.

Tony Barber, editori për Europën i kësaj gazeta ka udhëtuar drejt Tiranës dhe e titullon shkrimin “Shqipëria përgatitet për pasojat e krizës greke”.

“Shqipëria po përgatitet për rrezikun se trazirat e fqinjit të saj jugor, Greqisë, do të detyrojnë dhjetëra mijëra punëtorë shqiptarë emigrantë të kthehen në shtëpitë e tyre, duke ndërprerë dërgimin e të ardhurave për familjet”, thuhet në fillim të artikullit.

Sipas “Financial Times”, ministrat e qeverisë në Tiranë shprehin besimin se sistemi financiar në Shqipëri mund t’i shpëtojë stuhisë, edhe pse tri banka në Shqipëri janë nën pronësi greke dhe kontrollojnë pothuajse 16 për qind të të gjithë aseteve në sektorin bankar shqiptar.

“Por shqetësimi për kthimin e mundshëm të emigrantëve tregon se Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit, e jo partnerët e Greqisë në eurozonë, mund të jenë të parat që do të përjetojnë efektet ekonomike dhe sociale të njëpasnjëshme të krizës në Athinë”, thekson “Financial Times”.

Në shkrim citohet shefi diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, i cili ka deklaruar.

“Punëtorët shqiptarë emigrantë kanë shkuar në Greqi që në fillim të viteve ‘90. Kontributi i shqiptarëve jashtë Shqipërisë, në Greqi dhe në Itali, ka qenë mjaft i rëndësishëm në mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Nëse flasim në terma ekonomikë, ne i kemi ndjerë efektet e krizës greke”, ka thënë Bushati.

Remitancat nga shqiptarët që punojnë jashtë vendit, shkruan “Financial Times” kanë rënë nga 952 milionë euro në vitin 2007 në 544 milionë euro vitin e kaluar, por edhe kjo shifër më e ulët përfaqëson rreth 5 për qind të prodhimit të brendshëm bruto të Shqipërisë. Rreth 180,000 emigrantë shqiptarë janë kthyer në shtëpi gjatë 5 viteve të fundit, si pasojë e intensifikimit të krizës së Greqisë.

Krahas ekonomise, Bushati ka dhënë mendimet e tij edhe në aspektin politik në një kohë kur mardhëniet mes dy vendeve janë tensionuar  nga mosmarrëveshjet territoriale, ato të pakicave etnike.

“Në kohë krize të thellë ekonomike dhe financiare, këto probleme janë shumë më të vështira për t’u trajtuar. Retorika nacionaliste hyn në lojë dhe kjo nuk i shërben krijimit të një mjedisi të favorshëm për të trajtuar çështjet dypalëshe”.

Nikos Kotzias, ministri i Jashtëm i Greqisë, pritet të vizitojë Tiranën më 15 korrik, shkruan “Financial Times”, por mbetet për t’u parë nëse ai do të mbërrijë me ide të reja për tejkalimin e një mosmarrëveshjeje.

Top Channel