Zaev: Nuk i njoh gjykatat maqedonase. Janë nën kontrollin e Gruevskit

01/07/2015 00:00

Lideri i Lidhjes Social-Demokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev ka deklaruar se nuk i njeh gjykatat e vendit pasi, sipas tij, ato janë vënë në shërbim të kryeministrit Nikolla Gruevski.

Kjo deklaratë e kreut të opozitës maqedonase vjen një ditë pasi Gjykata Themelore në Shkup pranoi aktin e akuzës për rastin “Puç” kundër Zaev dhe hodhi poshtë ankesën e avokatëve të tij.

“Nuk e njoh sistemin gjyqësor si pushtet të pavarur me Kushtetutë. Gjyqësori është nën krontroll të plotë të Nikolla Gruevskit. Nuk do të marr pjesë në seancat e caktuara gjyqësore, nuk do të vazhdoj të respektoj masën për paraqitje në gjykatë çdo të hënë në ora 9 dhe masat e tjera për sigurimin e prezencës për realizimin e proçedurës penale”, ka thënë Zaev.

Në rastin “Puç”, Zaev akuzohet se përmes skandalit të përgjimeve ka tentuar të destabilizojë vendin dhe të përmbysë qeverinë aktuale. Në një konferencë për media, lideri opozitar ka bërë të ditur se nuk do të pranojë të ulet në bankën e të akuzuarve për skandalin e përgjimeve dhe pret që brenda javës të arrestohet.

“Pas kësaj deklarate publike, gjykata është e detyruar që të shqiptojë masën e paraburgimit dhe të më privojë nga liria. E pres nga sot këtë vendim të gjykatës. Unë ndodhem në selinë e LSDM-së, ose në Kampin e Lirisë para qeverisë”, ka thënë Zaev.

Kallëzimin penal kundër kreut të opozitës e ka ngritur muaj më parë Ministria e Punëve të Brendshme, duke e akuzuar atë dhe bashkëpunëtorët e tij, se  bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve qeveritarë i kanë siguruar në mënyrë të paligjshme dhe me ndihmën e shërbimeve të huaja, që janë të dënueshme me Kodin Penal të Maqedonisë.

Top Channel