Kongresi i VLEN, Albin Kurti në krah të Mickoskit, për herë të parë ‘harrohet’ himni shqiptar, reagime të ashpra në RMV dhe Kosovë Duke cituar një letër të kryeministrit grek, drejtuar huadhënësve të Greqisë; Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane; “Financial Times” thotë se Aleksis Tsipras do të dorëzohet e do t’i pranojë kushtet e kreditorëve në këmbim të zgjatjes së dorëzanisë.
Kreu i ekzekutivit grek – sipas prestigjiozes britanike, – do të vërë vetëm disa kushte të vogla. Letra prej dy faqesh, e datës 30 qershor, përmban kërkesën befasuese për zgjatjen e dorëzanisë, që skadoi mesnatën e së martës, e për një paketë të tretë e të re ndihme prej 29,1 miliardë eurosh.
Meqenëse dorëzania e vjetër përfundoi dhe vazhdimi i saj nuk mund të shtrohet më si mundësi në tryezën e negociatave, – shkruan “Financial Times”, – atëherë kërkesa e Tsiprasit mund të shërbejë fare mirë si bazë për një hua të re, gjatë ditëve në vijim.
Në letër, kryeministri grek thotë se Athina i pranon të gjitha reformat në sistemin tatimor, me shumë pak ndryshime. Së pari, ai kërkon të mbetet në fuqi ulja speciale prej 30% nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar e ishujve grekë, shumë prej të cilëve janë në zona të largëta e të vështira për t’u furnizuar.
Për sa i takon çështjes nevralgjike të reformës së pensioneve, Tsipras dëshiron që ndryshimet, të cilat parashikojnë brenda vitit 2022 rritjen e moshës së pensionit në 67 vjeç, të mos nisin nga zbatimi menjëherë, por në muajin tetor.
Ai këmbëngul gjithashtu, që “granti i solidaritetit” i akorduar pensionistëve më të varfër, e për të cilin është rënë dakord të ndalojë dhjetorin e 2019-s, të përfundojë më ngadalë nga sa këmbëngulin kreditorët.
Republika greke është e përgatitur të pranojë amendime, shtesa e sqarime të marrëveshjes, si pjesë e zgjatjes së programit të dorëzanisë që po skadon, dhe një pakti të tretë huaje, për të cilin është paraqitur një kërkesë zyrtare, thotë Tsipras.
Ai shton se, amendimet e palës greke janë konkrete dhe respektojnë me vendosmëri e besueshmëri të plotë strukturën e programit në tërësi. Ministrat e Financave të Eurozonës pritet t’i diskutojnë propozimet e reja të kryeministrit grek në takimin e planifikuar të mbahet në Bruksel.
Top Channel