A del Greqia nga Eurozona? Analistët mendojnë se ky është fundi

29/06/2015 00:00

“Nëse do të më vinit një pistoletë në kokë e do të me thoshit: na jep në këtë moment probabilitetin e qëndrimit të Greqisë në Eurozonë përgjatë javëve të ardhshme, do t’u përgjigjesha 15%”.

Parashikimet e koluministit ekonomik të agjencisë Bloomberg, Mohamed El Erian, nuk shohin opsion tjetër veç këtij skenari.

“Aq është mundësia. Sepse 85% unë shoh mundësinë e shtrëngimit të saj për t’u larguar nga zona e monedhës së përbashkët, jo sepse kështu dëshiron, por sepse nuk është e aftë të qëndrojë më”, thotë El Erian.

Greqia, i dyti anëtar i Unionit pas Qipros në 2013-n që vendos kontrolle kapitali, vështirë se do të mund të mbetet pjesë e grupit të euros. Pas zhvillimeve dramatike të fundjavës, një perspektivë e tillë në fakt nuk duket më aq e largët.

Edhe nëse deri para pak ditësh ekzistonte një lloj optimizmi se zgjidhja do të gjendej, shpresat u fashitën pas mesnatës së të premtes, me thirrjet e Aleksis Tspiras për referendum, një apel i lëshuar vetëm pak ditë para skadimit të afatit të dorëzanisë dhe të shlyerjes së borxhit prej 1.7 miliardë dollarësh që Athina i detyrohet FMN-së.

Tregjet aziatike ishin të parat që ndjenë tërmetin e frikës se kriza greke mund të përhapet e të prekë edhe shtete të tjera të bllokut. Euro ra në nivelin më të ulët të këmbimit kundrejt dollarit amerikan që prej fundit të janarit.

“Nëse donin referendum, që në vetvete është një rrugë relativisht pozitive për të treguar nëse grekët duan të qëndrojnë në Eurozonë ose jo, mund ta kishin bërë javë më parë”, mendon Shane Oliver, kreu i strategjisë së investimeve në kompaninë “AMP Capital Investors” në Sidnej.

“Me zvarritjen e këtij vendimi deri në momentin kur duhej paguar borxhi i FMN-së dhe kur shembet programi i tyre i huamarrjes, nuk bënë gjë tjetër veçse garantuan një maksimum pasigurie dhe kaosi”, shton Oliver, i cituar nga “Financial Times”.

Pas bisedimeve të Brukselit, grekët u vunë në radhë për të marrë paratë nga bankomatët dhe, siç raporton televizioni Skai, llogaritet që në këtë hark kohor të jenë 1 miliard euro.

“Kur mbyll bankat për disa ditë, ti praktikisht shkakton një depresion ekonomik”, shton më tej El Erian.

Qeverisë, sipas tij, do t’i duhet të lëshojë certifikata borxhi që praktikisht do të kthehen në një monedhë paralele dhe kjo në këndvështrimin e ekspertit, është një situatë tragjike dhe shumë e vështirë për t’u kontrolluar në terren.

Por ndërkohë, po Bloomberg citon njeriun që shpiku termin “Grexit” në 2012-n, Ebrahim Rahbari, të pohojë tani se Athina do të qëndrojë në Eurozonë.

“Ne presim që referendimi të rezultojë me një shumicë të rehatshme të kampit ‘po’. Mendojmë se nuk do të ketë një ‘Grexit’ këtë vit dhe se mundësia e daljes së këtij vendi nga Eurozona do të vijë duke u ulur gjatë viteve në vazhdim”, thotë ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA