Meta: LSI-ja u rrit në këto zgjedhje

26/06/2015 00:00

Megjithëse humbi disa nga bashkitë bastione historike të së majtës, Ilir Meta është shfaqur më shumë se i kënaqur me rezultatin për këshillat bashkiakë.

E jashtëzakonshme, spektakolare, e shëndetshme, ishin disa nga epitetet që përdori kreu i LSI-së Ilir Meta për rritjen e forcës së tij politike për këshillat bashkiakë në këto zgjedhje, në të parën deklaratë pas tyre. 

Por, në fjalimin e përgatitur, Ilir Meta pati vetëm dy falenderime: për votuesit e forcës së tij politike dhe për zgjedhësit shqiptarë që garantuan proces me standarde.

Edi Ramën e falenderoi kur u pyet për marrëdhëniet e tij pas zgjedhjeve me kryeministrin, ku nga forca e tij politike pati deklarata si ajo e Luan Ramës që nënkuptoi tradhtinë e votës së socialistëve ndaj kandidatëve të LSI-së.

“Ne kemi raporte mjaft konstruktive dhe bashkëpunuese me kryeministrin Rama, të cilin e falenderoj për përkrahjen që i ka dhënë kandidatëve tanë, në mënyrë të veçantë atyre të propozuar nga LSI-ja”, tha Meta.

Megjithëse u pyet disa herë nëse pati prerje në besë nga socialistët, në humbjen e disa kandidatëve të LSI-së për kryetar bashkie, Ilir Meta nuk u dorëzua në përgjigjen se humbja në qytete të ndryshme pati arsye të ndryshme: “Ne do të bëjmë një analizë të plotë për çdo qendër votimi. Edhe pse kam thënë se do të punonim për të fituar 61 bashki, shpresoj që ju të mos keni besuar se do i fitonim të gjitha. Kjo nuk do të ishte e shëndetshme për demokracinë në vend”.

Ilir Meta gjithashtu mohoi që LSI-ja të ketë votuar kandidatë të djathtë në bashkitë ku ata rezultojnë shumë herë më të votuar se forca e tyre politike dhe njëkohësisht LSI-ja është rritur në këshillat bashkiakë. Rasti tipik është Tirana, për të cilën Ilir Meta ka një shpjegim tjetër: “Të gjitha votat e LSI-së kanë shkuar në drejtimin e duhur. Mospërputhja e të gjitha votave të kandidatit me të aleancës duhet ta gjejmë në faktin që të gjithë ne kemi përgjegjësi, pasi parashikonim një fitore më të thellë. Ashtu sikurse nuk duhet të nënvlerësojmë një qasje të ndryshme nga ajo e PD-së, të zotit Halim Kosova”.

Për Vorën, bashki në të cilën LSI-ja vendosi fokusin e investimit politik, kreu i saj la të hapur mundësitë e ankimimit në KQZ, kur tha se këtë do ta vendosin përfaqësuesit ligjorë të kesaj partie, ndërsa kundërshtoi zëra të opinionbërësve se kjo bashki u humb nga LSI-ja për shkak të fushatës agresive në të.

“Në Bashkinë e Vorës janë regjistruar në mënyrë të paligjshme rreth 600 votues dhe e di shumë mirë kush është diferenca. Për analistë që paguhen në të zezë për të hedhur baltë mbi LSI-në, nuk marr përsipër që të përgjigjem”, u shpreh Meta.

Megjithëse për Ilir Metën vota politike është ajo e qarqeve të mëdha, ku LSI-ja ka dyfishuar apo trefishuar rezultatet për këshillat, Ilir Meta garantoi se çdo votë do të analizohet nga partia që ai drejton: “Fuqia e LSI-së është normaliteti dhe aftësia për të reflektuar. Jemi të lumtur për rritjen, jemi të lumtur pasi të gjithë kanë fituar”.

Top Channel