Gjanica dhe Erzeni, më të ndoturit. AKM: Kryebashkiakët e Tiranës dhe Fierit të marrin masa

26/06/2015 00:00

Gjanica dhe Erzeni janë lumenjtë më të ndotur në Shqipëri. Kreu i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri, thekson se kryetarëve të Bashkisë së Tiranës dhe Fierit do t’u duhet të ndërhyjnë me plane të mirëmenduara për të përmirësuar gjendjen në këto lumenj, ujërat e të cilëve përdoren edhe për bujqësi.

“Lumi i Gjanicës ndotet prej shkarkimeve të industrisë, ndërsa lumenjtë Ishëm-Erzen vuajnë nga shkarkimet urbane dhe shkarkimet e ujërave të zeza të patrajtuara që derdhen në to. Si në Qarkun e Tiranës, edhe në atë të Fierit kemi shumë njerëz që jetojnë nëpër fshatra dhe në zonat ku kalojnë lumenjtë, që merren me bujqësi dhe e përdorin ujin e lumit për vaditje. Një cilësi e tillë e lumit, në momentin më të parë sjell një produkt jocilësor”, tha Julian Beqiri, drejtor i AKM-së.

Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit mbi cilësinë e lumenjve tregon se, të paktën 20% e tyre në të gjithë vendin janë në gjendje kritike, edhe pse në grykëderdhje cilësia e tyre është shumë e pastër. Ndotësit kryesorë janë njerëzit, por edhe kryetarët e komunave, të cilët të gjitha mbejtjet urbane i derdhin në lumenj.

“20 për qind e totalit të lumenjve në Shqipëri duhet të preken nga masat e menjëhershme. Kemi një cilësi të klasifikimit të pestë, që është cilësia më e keqe e lumenjve, për shkak të ndotjes. Sikundër kemi edhe rreth 20-30 për qind, që janë të një cilësie shumë të mirë”, shtoi më tej Julian Beqiri.

Matjet e kryera nga specialistët në 51 stacione kanë treguar se, lumenjtë me cilësinë më të mirë në të gjithë vendin rezultojnë të jenë Vjosa dhe Mati. Cilësia e ujërave të lumenjve ndotet kur ata kalojnë pranë zonave të banuara, çka dëshmon se njerëzit dhe kryetarët e komunave i përdorin lumenjtë si vendin e shkarkimeve të mbetjeve urbane.

Top Channel