Vazhdon dorëzimi i kutive të votimit nëpër VNV

21/06/2015 00:00

Në të gjithë vendin janë mbyllur qendrat e votimit dhe thuajse në të gjitha bashkitë ka nisur dorëzimi një nga një i kutive të votimit te Vendet e Numërimit të Votave.

Dorëzimet e para kanë nisur në Sarandë, po ashtu edhe në Malësinë e Madhe, në Kukës, Elbasan, Durrës dhe Tiranë.

Nga të dhënat e KQZ, pjesëmarrja në rang kombëtar në këto zgjedhje pritet të shkojë deri në 45 për qind. Këtë herë trupa e KQZ ka qenë e plotësuar dhe ka debatuar mbi qendrën e vetme të votimit që nuk është hapur, ajo e burgut të Rogozhinës.

Ky mund të jetë një rast për partitë për të kërkuar përsëritje të zgjedhjeve për këtë bashki.

Ndërkohë, komisioneri i PS në KQZ, Genc Gjonçaj ka deklaruar për Top Channel se, në këtë proces janë plotësuar të gjitha standardet, ndryshe nga proceset e viteve të kaluara, kur janë verifikuar problematika serioze.

“Shifrat e orës 16 janë thuajse të përafërta. Pjesëmarrja në 64 për qind të qendrave të votimit ka qenë rreth 45 për qind. Veç kësaj theksoj se, nëse është dëshira për të mos kapur institucionet ne mund të arrijmë rezultate. Ne kemi bërë zgjedhje, qytetarët kanë shkuar të lirë të votojnë dhe mund të them se është arritur një standard. Në të shkuarën problemet kanë shqetësuar procesin, ndërsa sot ishte një ditë e qetë dhe pozitive”, ka thënë Gjonçaj.

Top Channel