Rama, në Top Story: I befasuar nga pjesëmarrja në fushatë. Dako jep dorëheqjen po fitoi me diferencë të vogël

19/06/2015 00:00

Në një intervistë me Sokol Ballën në Top Story, Edi Rama është ndjerë i befasuar nga pjesëmarrja e njerëzve në këtë fushatë zgjedhore dhe thotë se ka një pozitivitet, që as vetë nuk e priste në nisje të fushatës.

“Jam befasuar nga pjesëmarrja shumë e madhe e njerëzve në takime, në dëgjesa. Ka një frymë mbështetëse, besimi, pritshmërie të lartë, ka një pozititivitet që e pranoj që nuk e kam pritur në fillim as vetë”, tha Rama.

Por përtej kësaj, mazhoranca e drejtuar prej tij ka ndërmarrë edhe një sërë reformash e masash, që nuk cilësohen si popullore. Bëhet fjalë për aksionet kundër ndërtimeve paleje, për aksionet kundër vjedhjes së energjisë dhe shlyerjes së detyrimeve të prapambetura në këtë sektor, që nuk janë ndalur as në ditët e fushatës.

“Kam besuar që në fillim, kam qenë shumë në minorancë dhe i vetëm në fillim, kur kam mbrojtur bindjen time që platforma nuk do të largojë njerëzit sepse njerëzit kanë një sens shumë të përpunuar të gjësë së duhur dhe reformat do të kishin mbështetje dhe pak nga pak, mesa duket kanë nisur të binden edhe shumica, dhe kjo fushatë e konfirmon këtë që njerëzit vazhdojnë të kenë një pritshmëri shumë të lartë ndaj nesh, këtë e konfirmojnë edhe anketimet që ne kemi. Reformat kanë krijuar shpresë. Ka edhe shumë për të bërë, sakrifica që duhet të bëjmë së bashku”, deklaroi ai.

Rama iu përgjigj akuzave të disa mediave dhe të opozitës se programi “Rilindja Urbane” janë investime elektorale.

“Ne nuk kemi shpikur një formë të ndërmjetme ose indirekte për të bërë fushatë me fondet. Kemi ristrukturuar një fond që ka qenë aty, fond i grantit të kushtëzuar për njësitë vendore. Ne e kemi ristrukturuar duke e kthyer në Fond të Zhvillimit të Rajoneve. Nuk kemi marrë para nga pjesë të tjera për të bërë këtë, thjeshtë e kemi riorganizuar”, shtoi Rama.

Për sa i përket ekonomisë nëse ajo është aty ku duhet, zoti Rama tha: “E rëndësishme është që ekonomia ka dhënë shenja pozitive të rritjes dhe kjo është parë në disa sektorë. Në 18 muaj ne kemi dhënë një provë të sigurt që hemorragjia në të gjithë sektorët është ndalur”.

Ndërkohë për ikjen masive të shqiptarëve nga vendi, kryeministri tha se kjo ka ardhur për disa arsye, të cilat nuk janë të lidhura me qeverisjen gjatë kësaj periudhe.

“Ka pasur rregullisht 60 mijë shqiptarë që janë larguar çdo vit nga Shqipëria dhe kjo ikje nuk ka filluar tani. Ne e gjetëm Shqipërinë me 1 milion të papunë dhe njerëzit ikin dhe do të vazhdojnë të ikin. E njëjta gjë ndodh edhe në vendet e  integruara në Bashkimin Europian. E rëndësishme për ne është të shkojmë më tutje në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Gjatë 18 muajve qeverisje të së majtës investimet e huaja në vend kanë pësuar rritje, tha Rama, i cili shtoi se “në harkun e këtyre 18 muajve numri i bizneseve të huaja në vend është më i madhi i të gjitha viteve”.

Fushata e Partisë Demokratike është cilësuar e turpshme nga kreu i qeverisë. “Ishte një fushatë që fliste për ‘përralla nga e kaluara’ që u fshi në 23 Qershorin e 2013-s. Folën për ulje taksash në nivelin më të ulët në botë, për pensione si në Europë. Kjo është një tallje që edhe Sudja të ishte kryetare e PD-së do ishte më e përmbajtur. Fushata bëhet për bashkitë, për cilësinë e jetës jashtë mureve të shtëpisë, fushata bëhet për çfarë familja kërkon me të drejtë të ketë më mirë kur del nga shtëpia”. Tha Rama.

Ai premtoi se të gjithë kryetarët e bashkive do të kenë mbështetjen e qeverisë, qofshin ata të djathtë apo të majtë.

“Qeveria jonë nuk ka bllokuar askënd asnjëherë. Unë nuk jam Saliu. Unë kam thënë në fushatë se këta nuk meritojnë të zgjidhen pasi nuk kanë asnjë model. Kjo është një parti që ka treguar në të gjithë historinë e saj se nuk ka ditur të qeverisi Shqipërinë në asnjë njësi vendore, ndërsa ne kemi disa modele. Kush do që qyteti i tij të bëhet si Kamza le të votojë kandidatin e PD-së. Modeli i tyre është Xhelal Mziu”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i qeverisë e cilësoi fushatën elektorale si tepër të qetë dhe shtoi se ‘kjo mund të ketë ardhur edhe për shkakun se tashmë Berisha nuk është më në krye të Partisë Demokratike’.

“Ka një përpjekje të Partisë Demokratike për të tensionuar fushatën, e cila është shumë e qetë. Unë kam bërë edhe fushata të tjera, por asnjëherë nuk kemi pasur një fushatë pa asnjë tension real, ndoshta edhe sepse Saliu është në pension. Pasardhësi përpiqet t’i ngjajë paraardhësit, por është një kopje shumë e zbehtë në aspektin e përpjekjes për të krijuar tension”.

Zoti Rama pranoi se ka gabuar në përfshirjen e kandidatëve në dhënien e lejeve të legalizimeve. Ndërsa për rastin e Vorës, ai tha se kryetari i kësaj bashkie është respektuar maksimalisht si biznesmen, megjithëse ‘rasti nuk ishte i sajuar’.

“Kjo nuk duhet të kishte ndodhur, pasi është e papranueshme. Ndërkohë të gjitha akuzat e Partisë Demokratike janë artificiale. Në Pogradec është një kandidat që pretendon se i kanë çuar një mesazh kërcënues, ndërkohë i njëjti kandidat i tregon njerëzve mesazhet sikur ja çoj unë. Ka hetim nga Prokuroria me kërkesë të PD-së për kandidatët tanë në Durrës dhe Kavajë, lidhur me regjistrime të pretenduara të parregullta. Ka kërkesë nga LSI-ja për hetimin e kandidatit të Vorës për të njëjtën arsye. Shqetësimi i paraqitur nga kryetari i Bashkisë së Vorës si biznesmen është respektuar nga ana ime dhe nga ana e qeverisë dhe i është dhënë zgjidhje problemit, i cili nuk ishte i sajuar nga LSI-ja, por që derivonte nga informacione të Shërbimit të Inteligjencës Shqiptare”, tha Rama.

Sa i përket akuzave të Bashës për banda që po kërcënojnë qytetarët në Vorës, Rama tha: “Ti vijë turp Luzim Bashës për këtë rast. Në fakt, Meta ka të drejtë kur thotë se Basha gënjen edhe kur thotë se sa është ora. Sapo unë kam marrë mesazhin nga kryetari i Bashkisë së Vorës, në punë minutash problemi është trajtuar me urgjencë nga policia. Nëse ai është burrë të dalë dhe të thotë se kush gënjen në këtë rast”.

Rama premtoi se zgjedhjet e së dielës do të jenë me standardet më të larta. “Nëse zgjedhjet e 2013 ishin më të mira në histori, këto nuk do të krahasohen me ato zgjedhje për sa i përket standardeve dhe kushteve për të bërë fushatë”.

Një bojkotimi të mundshëm të zgjedhjeve nga ana e opozitës, kreu i Partisë Socialiste u shpreh se ajo është e lirë të bëjë ç’të dojë, ndërsa detyrë e kësaj qeverie është të mos krijojë shkak për këtë.

“Mua më intereson të mos jetë e detyruar të bojkotojë apo të dalë dhe të denoncojë për fajet tona, për fajin e saj mund të bëjë ç’të dojë. Për sa kohë shfrytëzon mjete paqësore është e lirë. Ndërkohë e konsideroj të papranueshme thirrjen e Bashës për komisionerët në Durrës dhe Kavajë që të bllokojnë votimin e njerëzve, të cilët dyshohen se janë regjistruar padrejtësisht”.

Kur është pyetur për akuzat e bërë ndaj kandidatit të ASHE për Bashkinë e Kavajës dhe për ndryshimin e emrit, Rama tha se Roshi është një person pa rekorde kriminale dhe një kandidat që ka bërë histori në Bashkinë e Kavajës.

“Shkoni sot në Kavajë dhe krahasojeni me atë të qeverisur nga Saliu në 20 vjet. Në qoftë se është kapur, nuk është gjykuar nga gjykata e Saliut, por nga gjykata të vendeve serioze dhe nëse nuk janë dënuar do të thotë se janë njerëz të pafajshëm dhe nuk janë njerëz me rekorde kriminale”, tha Rama.

Edhe një herë tjetër, reforma e re territoriale me të cilën do të mbahen edhe zgjedhjet e kësaj të diele, u cilësua nga Rama si historike.

“Nuk kemi bërë një reformë si ato të Saliut që ishin deforma. Ne nuk kemi bërë një bashkim mekanik njësish, por kemi krijuar 61 ose për të qenë i saktë, 58 njësi ekonomike zhvillimi. Në këto kushte bashkitë do të jenë në kushte reale, me potenciale reale dhe me mundësi reale. Ndërkohë 3 bashki janë ndryshe sepse kemi dashur të vlerësojmë të drejtën e minoriteteve. Nëse Bashkia e Tiranës do të kishte qenë e tillë para 10 apo 15 vjetësh, sot nuk do të kishim këtë batërdi”.

Pyetjes se përse zgjodhi Erion Veliajn për Tiranën, Rama u përgjigj kështu: “Fushata, programi, energjia, impakti, tregojnë se është njeriu i duhur në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Historia e Erionit do të jetë një histori suksesi, e cila do të mbahet mend gjatë”.

Kryeministri i vendit e vlerësoi si dytësore rezultatin e këtyre zgjedhjeve duke e krahasuar me mbarëvajtjen e procesit

“Duhet të vlerësojmë rëndësinë që ka procesi, të zhvillojmë zgjedhje të qeta, zgjedhje ku njerëzit të votojnë lirisht, ku strukturat e Policisë së Shtetit të jenë në lartësinë e detyrës si në një shtet normal europian. Përpara kësaj, rezultati, matematika e fitores tonë është dytësore”.

Në fund, Rama lëshoi edhe një sfidë në lidhje me garën për Bashkinë e Durrësit. “Në qoftë se fitorja e Vangjush Dakos do të jetë me një diferencë të përafërt me numrin e personave që konsiderohen të regjistruar në mënyrë të parregullt, ai do të japi dorëheqjen dhe ne do të bëjmë zgjedhje të reja, përsëri me Vangjush Dakon, por do t’i japim një mundësi të dytë PD-së. Fitorja në Durrës do të jetë shumë më e thellë se sa pretendimi i Partisë Demokratike që me regjistrimet po përpiqet të manipulohet rezultati”, tha Rama.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA