Merkel: Më shumë parà për emigrantët

19/06/2015 00:00

Më shumë para’ për refugjatët: ky është premtimi i bërë kryeministrave të landeve gjermane të mbingarkuara këtë vit nga valët e refugjatëve. 140.000 azilkërkues u regjistruan në motorin ekonomik të Europës vetëm përgjatë 5 muajve të parë të vitit 2015, apo dy herë më shumë se vitin që shkoi dhe tendenca është në rritje.

Shpenzimet për mbajtjen dhe përkujdesin shëndetësor për këta njerëz po i çojnë 16 landet gjermane dhe komunat që strehojnë refugjatë në limitet e tyre financiare. Ndaj, në takimin e zhvilluar në Berlin për këtë çështje, kancelarja Angela Merkel siguroi mbështetje të shpejtë për zgjidhjen e mirë të këtij ngërçi të jashtëzakonshëm, siç e cilësoi ajo.

Për këtë qëllim, nga sa raporton shtypi vendas, qeveria federale gjermane do të vërë brenda një afati të shkurtër një miliardë euro shtesë dhe në aspekt afatgjatë do të angazhohet financiarisht më të fortë se më parë. Për sistemin federal në Gjermani, një gjë e tillë është si një “revolucion”, tha kryeministri i landit Saksoni-Anhalt, Reiner Haseloff.

Deri tani rreth 90% të shpenzimeve për azilkërkuesit i mbajnë landet dhe komunat. Përveç kësaj, qeveria federale do të ndihmojë për përshpejtimin e procedurës së azilit dhe integrimin social të refugjatëve me “perspektivë të mirë për të qëndruar”. Merkel theksoi se duhet bërë dallim midis “atyre që kanë ikur prej luftës dhe terrorit dhe kanë të drejtë për strehim dhe mbrojtje, dhe atyre që nuk e kanë një të drejtë të tillë”.

Serbia, Maqedonia dhe Bosnjë-Hercegovina janë klasifikuar kohët e fundit me ligj si vende të sigurta dhe për qytetarët e këtyre shteteve vlejnë procedurat e përshpejtuara të azilit. Përpjekja e landit të Bavarisë, që qeveriset nga CSU-ja, për ta shpallur edhe Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi si vende të sigurta, nuk arriti të miratohet për shkak të rezistencës së landeve që qeverisen nga socialdemokratët SPD, të Gjelbërit dhe E Majta.

Top Channel