Bushati, mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit turk Demirel

19/06/2015 00:00

Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, ka shkruar një mesazh ngushëllimi për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit turk, Sulejman Demirel.

“Lajmi i dhimbshëm për ndarjen nga jeta të një prej figurave që ka lënë gjurmë të thella për disa dekada në zhvillimet në vend dhe në historinë e afërt politike të Turqisë mike, Presidentit të nëntë të saj, Sulejman Demirel, më ka hidhëruar së tepërmi”, shkruan Bushati.
 
“Ky politikan babaxhan e burrë shteti, i cili për mbi një gjysmë shekulli ka luftuar e qëndruar krah konsolidimit të demokracisë dhe zhvillimit e përparimit të vendit të tij, do të kujtohet nga ne shqiptarët edhe për ndjenjat më të afërta e miqësore që ka bartur e përçuar për mbarë shqiptarët, për rolin e rëndësishëm e kontributin e veçantë në marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve tanë në momente tejet të vështira”, thekson ministri Bushati.
 
Ish-Presidenti dhe kryeministri turk, Sulejman Demirel, një prej gjigantëve të jetës politike turke përgjatë më shumë se një gjysmë shekulli, vdiq në moshën 90-vjeçare, disa ditë më parë.
 
Nga viti 1965, ai ka qeverisur Turqinë përgjatë më shumë se 11 viteve në krye të shtatë qeverive, i dyti për karrierën më të gjatë si kryeministër pas Presidentit aktual dhe ish-kryeministrit, Recep Tayyip Erdogan. Ai ushtroi funksionet si President nga viti 1993 deri në vitin 2000.
 
Lindur në vitin 1924, Demirel, i konsideruar si një konservator pragmatik, i gatshëm për të gjitha koalicionet, e filloi karrierën e tij politike në vitin 1960, pas grushtit të parë të shtetit. Dy prej mandateve të tij në krye të qeverisë u ndërprenë menjëherë nga dy grushte shteti në vend nga ushtria, fillimisht në vitin 1971, e më pas në vitin 1980.

Top Channel