Incidenti në Elbasan, Basha: Bandat e Sejdinit po kërcënojnë qytetarët. Balla: Incidenti i inskenuar nga PD

18/06/2015 00:00

Një incident i pretenduar elektoral në qytetin e Elbasanit mesnatën e së enjtes ka bërë që kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha të shkojë menjëherë në këtë qytet për t’u njohur me ngjarjen.

Nga lagja e banuar kryesisht nga komuniteti rom në Elbasan, Basha ka deklaruar se bandat e kandidatit Qazim Sejdini kanë kërcënuar me armë në shtëpitë e tyre simpatizantët e PD. Basha i bëri thirrje Prokurorisë të ndjekë me korrektësi çështjen, ndërsa organizatat e monitorimit të zgjedhjeve të ndjekin me vëmendje situatën në Elbasan.

Kreu i Partisë Demokratike nga Elbasani tha gjithashtu se ka prova që vota po blihet me 2 mijë lekë.

Ndërkohë, Xhevdet Mustafaj, personi i cili pretendon se është kërcënuar për shkak të bindjeve politike shprehet i frikësuar, por pranon se nuk ka parë armë dhe as ka dëgjuar të shtëna.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i drejtuesit politik të fushatës së Partisë Socialiste në Elbasan, deputeti Taulant Balla, i cili deklaroi se incidenti ishte thjesht një inskenim i PD-së, e cila sipas tij po përpiqet të tensionojë situatën.

Deputeti i Partisë Socialiste akuzoi kreun demokrat dhe kandidatin e kësaj partie për Bashkinë e Elbasanit, Ardjan Turku, se po tentojnë të prishin klimën e qetë që ekziston. “Ardjan Turku, i kapur nga paniku, po inskenon incidente dhe video”, tha Taulant Balla.

Ndërkohë, i kontaktuar në telefon nga Top Channel drejtori i policisë së Elbasanit, zoti Alfred Cepe, në lidhje me ngjarjen është shprehur se ka pasur një denoncim në sallën operative për kërcënim, një telefonatë që ka ardhur nga një zonjë.

Policia ka shkuar në vendngjarje për të marrë deklaratat, ndërkohë që shprehet zyrtarisht se nuk ka pasur të shtëna me armë dhe as kërcënime me anë të tyre. Një deklaratë zyrtare policia pritet të ketë gjatë së premtes, menjëherë pas përfundimit të procedurave.

Top Channel