Gara për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj në “Top Show”

18/06/2015 00:00

Në debatin e fundit të këtyre zgjedhjeve në “Top Show” ishte i ftuar kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj.

Cilat janë sfidat e Tiranës, çfarë premton kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane ? A do ta zgjedhë Tirana ish-ministrin e Punës si kryetar të saj në 21 Qershor? Këto janë disa nga pyetjet të cilave u dha përgjigje në emisionin e drejtuar nga Alban Dudushi.

Javën e kaluar në “Top Show” ishin të ftuar 3 kandidatët ‘alternativë’ për Bashkinë e Tiranës: Gjergj Bojaxhi, Arben Tafaj dhe Sazan Guri, ndërsa në garë është edhe kandidati Partisë Demokratike, Halim Kosova, i cili që në fillim të fushatës së tij deklaroi se debati është me njerëzit dhe ‘nuk kam kohë për të humbur në një debat me rivalin’.

Veliaj u pyet nëse ndjen keqardhje që nuk u përballë me Kosovën në debat. Ai u përgjigj se një debat i tillë do të kishte rritur standardin e garës.

“Edhe nga ana taktike nuk e kuptoj, pasi ata janë në opozitë dhe do të ishte i vlefshëm debati për ta. Por mendoj se mungesa e një rezultati në Tiranë në këtë 4-vjeçar e bën të pa munduar një debat të tillë për ta”, tha kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Në pjesën e parë të emisionit Veliaj bëri një prezantim në vija të përgjithshme të programit të tij.

Mirëqeverisja

Do të mundohem të jem prezent në çdo mbledhje të Këshillit Bashkiak, tha Veliaj, ndërsa shtoi se bashkia do të jetë e hapur për qytetarët, transparente: “Kam ndërmend të vendos një parametër demokratik në bashki. Propozoj të mos mungoj në asnjë mbledhje të këshillit bashkiak. Unë do të filloj të riparoj raportin me këshillin. Duhet të kemi më shumë respekt për qytetarët dhe të mos flasim me ta vetëm gjatë zgjedhjeve. Gjithashtu bashkia do të jetë transparente për qytetarët dhe jo e mbyllur për ta. Na është premtuar para 4 vjetësh që thesari do të ishte i hapur, por kjo nuk ndodhi. Duhet të vendosim marrëdhënien që bashkia ka me qytetarët”.

Zhvillimi ekonomik

Për sa i përket zhvillimit ekonomik, kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës tha se do të sjellë në bashki disa përvoja të suksesshme nga koha kur ai ishte ministër, si Fondi i Nxitjes së Punësimit dhe Këshilli Kombëtar i Punës.

“Qyteti sot është 50% e të gjithë ekonomisë së vendit. 52 mijë biznese janë sot të regjistruar në Tiranë, por edhe shumica e bizneseve të reja operojnë në Tiranë. Ne do të bëjmë disa ndërhyrje. Fondi i Nxitjes së Punësimit ishte i suksesshëm në qeverisjen e deritanishme dhe pse këtë mos ta bëjmë edhe në bashki? Duam të krijojmë këshillin ekonomik të Tiranës. Me këtë kam pasur një sukses në ministri me Këshillin Kombëtar të Punës dhe e shoh të arsyeshme që këtë eksperiencë ta përdor edhe në bashki. Në çështjet e ekonomisë lokale do të fusim edhe çështje të ekonomisë rurale. Bashkia zgjerohet me 13 komuna, përveç 11 minibashkive dhe për herë të parë do të kemi një qendër të agronomisë dhe të veterinarisë. Gjithashtu do të synojmë të marrin edhe disa kompetenca nga qeveria qendrore, si çështje të kanaleve vaditëse, kulluese, qendra të grumbullimit të produkteve bujqësore. Ne do të modernizojmë mënyrën e tarifave, ky proces do të jetë elektronik. Është totalisht pa sens që të shtyhen biznesmenët për t’i paguar tarifat bashkisë”.

Turizmi

E gjithë zonat e “Pazarit të ri” do të kthehet në një pazar tradicional, tha Veliaj, i cili shtoi se do të ketë edhe një sërë investimesh të tjera, ndërsa do të ofrohet edhe një guidë turistike.

“Do të ofrojmë një guidë turistike të Tiranës, e cila deri tani mungon. Do të synojmë krijimin e linjave të transporti të dedikuara për hapësira turistike, që shumë veta që jetojnë në kryeqytet nuk e dinë që ato ekzistojnë. Tirana ka sot 13 kala, 100 liqene. Do të bëjmë një sërë investimesh, së pari duke filluar në liqenin e Kasharit, së dyti në “Pazarin e ri”, i cili do të transformohet në një pazar tradicional. Festa e ‘Natës së Bardhë’ mund të kthehet në një traditë për të tërhequr edhe njerëz nga rajoni. Kur ka organizim vijnë edhe turistë nga brenda dhe nga jashtë vendit dhe kjo është parë vitet e fundit”.

Bujqësia

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për Bashkinë e Tiranës premtoi ndërtimin e tregjeve të reja të shumicës. Ai tha gjithashtu se do të krijohet edhe Këshilli i Fermerëve.

“Bujqësia është për herë të parë pjesë kryesore e menaxhimit të bashkisë. Ambicia ime është që Tirana të kthehet në etalon të marrjes së kompetencave nga qeveria. Tirana ka nevojë për tregje të reja shumice dhe për mungesë të infrastrukturës është mëkat që qyteti nuk përfiton nga këto. Bashkëpunimi i fermerëve do të inkurajohen. Këshillimi i Fermerëve do të jetë një tjetër synim. Ne kemi raste kur të gjithë shkojnë pas një produkti dhe kështu janë të dështuar. Duam të fusim një koncept të ri, atë të tregjeve të përkohshme. Në një ditë të javës mund të bllokohet zona te “Myslym Shyri”. Për këtë kemi shumë se çfarë të mësojmë nga Italia dhe Greqia”.

Infrastruktura, transporti

Veliaj tha se aksioni për pastrimin e Tiranës do të jetë gjëja e parë që do të bëjë, ndërsa do të synojë ta kthejë në normalitet kryeqytetin.

“Infrastruktura do të jetë në fokus kryesor në 300 ditët e para pasi është çështje më e prekshme nga qytetarët. Ne kemi krijuar të dhëna me pikat më problematike në Tiranë dhe aksioni joni i parë do të jetë për kthimin e qytetit në normalitet. Pastrimi i Tiranës do të jetë objektivi i parë i joni. Ujësjellës-kanalizimet kanë një problem, pasi në zona të ndryshme janë një tmerr për banorët. Kjo është një dramë që vjen që prej viteve ‘90. Ndaj në 300 ditët e para, ne do të synojmë sjelljen në normalitet të pastrimit, ndriçimit, të kafshëve të rrugës, mbulimit të pusetave, riparimit të trotuareve dhe çështjeve që kanë të bëjnë me ujësjellës-kanalizimet”.

Trafiku dhe parkimi

Në lidhje me parkingun, një problem tepër shqetësues në kryeqytet, Veliaj tha se do të synojë hapjen e parkingjeve nëntokësore.

Trafiku është makth i vërtetë në qytet. Së pari, nuk kemi pasur një parkim nëntokësor dhe ne kemi identifikuar 10 hapësira për hapjen e parkingjeve nëntokësore. Unë nuk do të synojë të rikandidoj pas 4 vjetësh pa përfunduar unazën e vogël dhe të mesme, ndërsa unaza e madhe besoj se do të avancojë më shumë se sa ka avancuar në këto 24 vjet. Ne do të krijojmë 3 terminalë fundorë për trafikun që vjen nga jashtë Tiranës. Korça nuk mund të terminojë në Kashara”. 

Mjedisi tregjet, siguria

Veliaj e cilësoi si tepër shqetësuese ndotjen në kryeqytet dhe për të tha se do të merren vendime që bizneset që shkaktojnë gazra të vendosin filtra, ndërsa do të ketë edhe reduktim të trafikut, tha ai.

“Shqetësimi i madh është se në 109 ditë të vitit Tirana është mbi normën e lejuar nga BE-ja. Bashkia do të emetojë vendime që bizneset që shkaktojnë gazra të keni filtra ose do të pezullohet biznesi i tyre. Së dyti, ne do të vëmë reduktim të trafikut në këto zona. Në zonën e “21 Dhjetorit” do të ketë devijim të trafikut për të shmangur ndotjen, në ditë të caktuara do ta bllokojmë trafikun. Një shembull konkret është sheshi “Nënë Tereza”.

Arsimi

Kandidati i PS-së premtoi ndërtimin e 10 shkollave 8 kopshteve dhe 6 çerdheve.

“Bashkia ka detyrë të gjithë infrastrukturën arsimore. Është pa sens që ministria të merret me çdo shkollë, 9-vjeçare. Do të ulet ndjeshëm dyndja në shkolla dhe kopshte. Në mandatin e parë ne parashikojmë të kemi 10 shkolla 8 kopshte dhe 6 çerdhe. Ne do të bashkëpunojmë edhe me Ministrinë e Arsimit për t’i kthyer shkollat në qendra komunitare. Fushat rrinë bosh, kur të gjithë fëmijët mund të luajnë aty. Pas orës 13:30 personi më i rëndësishëm në shkollë është roja”.

Punësimi dhe kujdesi social

Edhe për sa i përket kujdesit social, Veliaj tha se do të aplikojë në bashki disa projekte të suksesshme gjatë kohës që ai ishte ministër. Gjithashtu, ai premtoi ndërtimin e 3 mensave sociale dhe 5 qendrave ditore për moshën e tretë.

“Kemi pasur disa projekte të suksesshme në ministri që do të synojmë t’i aplikojmë edhe në bashki. Duhet garantuar minimumi jetik dhe për këtë mund të marrim edhe shembullin e Francës. Të gjithë supermarket nuk kanë pse e hedhin ushqimin në prag të skandencës. Do të bashkëpunojmë edhe me komunitetin e kulteve, të cilët mund të jenë partner ideal për mensa sociale, ndërsa do të krijojmë edhe 3 mensa sociale. Tirana është një qytet që duhet të ketë shumë respekt edhe për moshën e tretë. Brenda mandatit do të kemi 5 qendra ditore për këtë komunitet”.

Projektet e Tiranës

Kampusi Universitar, plani hyrës në Tiranë, bulevardi i ri, Kopshti Zoologjik, qendra olimpike dhe ishin disa nga projektet për të cilat foli Veliaj.

“Ka disa projekte, ne do të kemi një kampus universitar. Pavarësisht ku rritet një shqiptar, ëndrra është që të vijë të studio në Tiranë. Sot nuk kemi konvikte të denja. Kampusi do të rikthejë libraritë dhe bibliotekat. Gjithashtu do të do të ketë edhe terrene sportive. Ne kemi një plan për hyrjen e re të Tiranës, e cila do të vazhdojë në fund të rrugës së Dibrës, e cila do të mundësojë edhe uljen e trafikut, por edhe kthehet në një zonë të madhe ekonomike. Bulevardi i ri i Tiranës është një projekt madhor. Një tjetër projekt është Kopshti Zoologjik i Tiranës, i cili ka filluar me fazën e projektimit. Bashkë me të do të jetë edhe qendra olimpike, si dhe një bashkim me Kopshtin Botanik”.

Kultura, rinia dhe sporti

Veliaj tha se hapësirat publike do t’i kthehen menjëherë publikut, ndërsa do të inkurajohen sa më shumë qendra kulturore dhe rinore. Në lidhje me sportin, ai tha se bashkia do të mbështesë edhe klubet e tjera përveç Tiranës edhe pse ajo përfitojë mbështetjen më të madhe.

“Në një qytet ku të rinjtë nuk kanë një hapësirë ku të argëtohen, nuk kanë një hapësirë ku flitet për letërsi, një hapësirë ku falas mund të shohësh një teatër, një hapësirë ku mund të ekspozosh punët e tua si artist i ri, gjykova që ishte më e drejtë që të bënim një betejë me bashkinë. Bashkia e Lulzim Bashës beson te kultura tallava dhe te kthimi i hapësirave publike për interes të privatit. Unë them se hapësirat publike duhet t’i kthehen publikut sepse janë ndërtuar me taksat e tij. Ne do të ndërpresim kontratat për ambientet e dhëna me qira. Roli i bashkisë është që të inkurajojë sa më shumë qendra rinore dhe kulturore. Për sa i përket sportit, ne kemi pasur një mbështetje publike gjatë kësaj jave nga Sport Klub Tirana, ku bashkia është aksionere. Ata na mirëkuptuan kur thamë se bashkia nuk mund të ketë ekskluzivitet vetëm Tiranën edhe pse aksionet do të respektohen. Qyteti i përket edhe Partizanit, edhe Dinamos, me hyrjen e komunave të reja kemi ekipe edhe në Farkë, por edhe në Dajt. Ndërsa këta që po ikin thonë që jemi me Tiranën dhe nuk japin asgjë. Ne do të synojmë të kalojmë nga sportet elitare të klubeve, të inkurajojmë edhe një masivizim për të cilën ka shumë nevojë edhe stili i jetesës”.

Në pjesën e dytë të emisionit, zoti Veliaj ishte përballë një paneli të përbërë nga analisti Arjan Vasjari, Mark Marku, pedagog në Universitetin e Tiranës dhe opinionisti Alfred Lela.

Pyetja e parë për Veliajn ishte nga Vasjari. “Komunikimi është një ndër pikat e forta tuajat dhe kjo tashmë dihet, por dhe fushata është e kolauduar. Ndërsa një ndër pikat e dobëta është një lloj vështirësie për t’u identifikuar me qytetin. Kjo duket nga sondazhet ku ju keni një diferencë jo të vogël me votat që merr koalicioni juaj”, tha Vasjari, i cili pyeti nëse kjo ishte konstatuar deri tani nga Veliaj dhe nëse ka ndonjë instrument për t’u rikuperuar në të ardhmen.

“Unë besoj te komunikimi dhe fushata për këtë është dhe do të kisha preferuar që ky të ishte një debat dhe këtë e kam kërkuar që nga dita e parë. Debati duhet të jetë një normë që duhet të futet në kulturën tonë. Duket se i vetmi ballafaqim është në bllokun e lajmeve. Mesatarisht sondazhet na tregojnë 5 deri në 8 pikë të rritur nga fillimi i fushatës, do të thotë se ne na ka funksionuar kjo si ide. Ne në Tiranë jemi sjellë në opozitë”, tha Veliaj.

Ai për çështjen e koalicionit tha se është në dijeni të diferencave dhe dha disa arsye pse kjo ndodh.

“E kam konstatuar dhe jam i ndërgjegjshëm për këtë diferencë dhe kjo ndodh për disa arsye. Për zgjedhësit që kanë qenë të djathtë është e vështirë të votojnë një kandidat të propozuar nga PS-ja. Ne për këtë kemi punuar shumë dhe për herë të parë shoqata e të përndjekurve mbështet kandidatin e së majtës. Jemi mbështetur nga tiranasit e vjetër, nga Futboll Klub Tirana. Ne do të synojmë që të qëndrojmë sa më të bashkuar me koalicionin edhe në ditët në vazhdim. Unë jam gati të them sot se në mbrëmjen e 21 Qershorit votat e kandidatit do të jenë identike me votat e koalicionit tonë”, tha kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane.

Ndërkohë Mark Marku tha se Velaj nuk ka realizuar as 1 të 1000 e atyre që ka premtuar në qeverisjen qendrore dhe shtoi se deri tani nuk ka pasur asnjë reflektim ndaj këtij modeli.

Ndërkohë, Veliaj e hodhi poshtë këtë duket thënë se ministria që ai mbulonte kishte 5 premtime dhe ato thuajse janë realizuar të tëra, sipas tij.

Opinionisti Alfred Lela i tha Veliajt se kur është duke thënë se Basha nuk ka bërë asgjë, në një farë mënyrë pranon se gjërat që janë bërë keq në Tiranën janë bërë nga zoti Rama, paraardhësi i Bashës në bashki.

Për këtë Veliaj u shpreh se kjo më pas është mënyrë konceptimi, pasi ‘nuk mund ta pyesësh dikë nëse ka bërë gjera të këqija’, tha ai, ndërsa ngriti disa probleme të zotit Bashka gjatë 4 viteve të tij në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Nuk ke arsye për t’u diskredituar dhe t’i japësh leje ndërtimi vetes tënde; nuk ke arsye të diskreditohesh dhe të prishësh një shtëpi muze. Fakti që nuk i shkoi të keqes deri në fund është ngushëlluese, por nuk duhet të mjaftohemi me një njeri që duhet të kishte bërë shumë gjëra më mirë. Qytetarët e Tiranës janë shprehur në masë që nuk kanë asnjë fjalë të mirë për kryetarin aktual të bashkisë. Ndërsa nëse njerëzit pyeten sot se kush është politikani më i suksesshëm, absolutisht thonë Edi Rama, nëse i pyet për kryetarin më të suksesshëm, absolutisht thonë Edi Rma”, tha Veliaj.

Top Channel