FRD mbyll fushatën në Tiranë, Topi: Bashkimi me ASHE, standard i ri

18/06/2015 00:00

Fryma e Re Demokratike ka zhvilluar paraditen e së enjtes takimin përmbyllës elektoral. Në fjalën e tij, kreu i kësaj partie, Bamir Topi ka deklaruar se FRD bëri zgjedhjen e duhur kur pranoi bashkimin me koalicionin e majtë.

“Zoti Rama iu drejtua FRD-së për një koalicion për zgjedhjet vendore dhe pas një analize dhe vendim-marrjeje, FRD iu bashkua këtij koalicioni, sepse në krye të sloganit tonë është fryma e re demokratike për shtetin dhe qytetarin”, ka deklaruar Topi.

Ai u shpreh se, ky bashkim do t’i shërbejë formimit të Shqipërinë europiane, që ndër vite, sipas tij, mbeti mirazh.

“Vlerësoj rolin dhe pozicionin e FRD-së, që do të jetë për herë të parë pjesëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës. Vlerësoj maksimalisht edhe zotin Veliaj, duke i thënë se ti je lider i profilit europian dhe së bashku me kolegët, një prej të cilëve do të jetë nga FRD, synimet për një gjeneratë moderne do të jenë të realizuara”, ka thënë Topi.

Ai ka shtuar më tej se, ky bashkëpunim mes FRD-së dhe ASHE-së vjen si pasojë e nevojës për plotësimin e standardeve europiane.

“Ne jemi politikanë dhe duhet të bëjmë vrojtime të rëndësishme. Të gjithë e kemi ëndërr Europën, por Europa nuk mund të hapë dyert, nëse ne nuk plotësojmë standardet”, ka shtuar Topi.

Nga ana e tij, Veliaj, duke e konsideruar FRD si një ndër aleatet kyçe në koalicion, u shpreh i padurueshëm për të nisur sa më parë punën me anëtarët e FRD-së në Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Kemi një bashkëpunim gjigand për Tiranën, që mezi pret që t’i shërbehet me dinjitet, pa i ndarë njerëzit, por duke respektuar standardin që Bamir Topi si presidenti ynë i bashkoi shqiptarët. Ndaj, mezi pres të punoj me këshilltarët e FRD”, ka thënë Veliaj.

Top Channel