ASHE mbyll fushatën në Tiranë, Rama dhe Meta kërkojnë votat për Veliajn

18/06/2015 00:00

Me një skenografi tërësisht ndryshe, Aleanca për Shqipërinë Europiane, e shndërroi sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet në një skenë gjigande ku u luajt akti i fundit i betejës për Tiranën.

Në prani të drejtuesve të partive të koalicionit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se tashmë kryeqytetit është në duart e një gjenerate të re, e cila do bëjë për Tiranë shume me shume seç është bërë në 25 vite, përfshi edhe periudhën që bashkia drejtohej nga ai vetë.

“Unë besoj shumë që ato vite që kanë mbetur në kujtesë e njerëzve, sot janë një eksperiencë shumë e çmuar për të bërë shumë më tepër dhe shumë më mirë. Unë besoj se Erioni ka mundësinë të bëjë shumë më tepër dhe shumë më mirë për të gjitha aftësitë që ka, por edhe për një tjetër arsye. Kur unë nisa punën për transformimin e Tiranës kryeministër ishte Ilir Meta dhe ishte mbështetja e tij, e cila më dha mundësinë për të bërë atë startin e parë që pastaj krijoi premisat e transformimit të madh. Ndërsa sot Erioni ka mbështetjen time, të Ilir Metës dhe të një aleance shumë më të madhe dhe shumë më të fortë se sa ishte në atë kohë”, tha Rama.

Kreu i LSI-së Ilir Meta, duke theksuar se asnjë qytet nuk ka kohë për të humbur, me bindje deklaroi se Tirana do të jetë lokomotiva e fitores së Aleancës për Shqiperinë Europiane.

“Jam i bindur se Tirana, kryebashkia, kryeqyteti, do të jetë në krye të fitores më të thellë që është arritur ndonjëherë këtu në 25 vjet. I ftoi të gjithë të marrin pjesë në zgjedhje, pasi çdo votë për Erionin është një detyrim më shumë, jo vetëm i tij si kryebashkiak i Tiranës, por i të gjithë neve për të realizuar shpresat dhe ëndrrat e të gjithë banorëve të Bashkisë së Tiranës”, tha Meta.

E në përmbyllje të rrugëtimit 30 ditor në të gjitha zonat e Tiranës ku shpalosi programin e tij, Erion Veliaj u zotua që kryeqytetit do t’i kthejë dinjitetit e munguar në këto 4 vite.

“Në vitin 2011 Tirana ishte etaloni i çdo bashkie. Në Korçë thoshin: duam ta bëjmë Korçën si Tirana; në Durrës thoshin: duam ta bëjmë Durrësin si Tirana e Edi Ramës. Por a ka sot një bashki që thotë, e dua bashkinë si Tirana e Lulzim Bashës? Asnjë. Këto 4 vite nuk kanë qenë të bukura për Tiranën. Tirana nga etalon, nga lokomotiva që tërhiqte të gjithë vagonët e bashkive të tjera, është sot standardi më i ulët i shërbimit të qytetit. Ne jemi këtu për të thënë se meritojmë më shumë. Ne duam një Tiranë si ajo e Edi Ramës, e cila është shembull për të gjitha bashkitë e tjera dhe jo bashkia e fundit me standardet më të ultë në të gjithë republikën tonë. Për të gjitha ata që ndoshta për 1 sekondë në mendjen e tyre kanë menduar realisht se po bëhet qameti me fitoren tonë të pritshme në Tiranë edhe në 60 bashkitë e tjera të Shqipërisë, po ju themi: ne vijmë që t’ju respektojmë, vijmë që të punojmë me përulje të gjithë bashkë. Ne nuk vijmë për hakmarrje, por për ta kthyer qytetin në punë”, tha Veliaj, kandidat i ASHE për Bashkinë e Tiranës.

Top Channel