Vite më parë, vija bregdetare e plazhit të Semanit ishte me dhjetëra metra më në brendësi të detit. Tashmë gurët që janë gjurmë të bunkerëve, sot janë nën ujë. E gjithë zona ishte me pisha, të cilat sot janë shkulur dhe po mpaken dita ditës për shkak të erozionit dhe erërave të fuqishme.
Harta e territorit shqiptar ndryshon dhe toka po tkurret nën veprimin e vazhdueshëm të erozionit. Në zonën e Semanit, ashtu si në shumë zona të tjera bregdetare në vend, sipërfaqe të tëra toke po zhduken si pasojë e erozionit detar, ndërsa të tjera sipërfaqe humbasin çdo vit për shkak të rrëshqitjes së dherave. Në ditën ndërkombëtare kundër shkretëtirëzimit të tokës, ekspertë të mjedisit japin alarmin për keqtrajtimin që i bëhet tokës dhe bëjnë apel për ndaljen e aktiviteteve me efekte shkatërruese, siç është gërryerja e lumenjve apo prerja e pyjeve.
“Nga 8.99; 20 ton për ha në vit ka raste 100 ton për ha shkojnë në det. Në qoftë se për 100 vjet formohet një shtresë toke prej 1 mlm ose për 1000 vjet 1 cm, dëmi është shumë i madh që shkaktohet qoftë përmes kushteve klimaterike të disfavorshme dhe qoftë përmes aktivitetit njerëzor, prerjes së pyjeve, shpyllëzimeve, mungesës së sistemimit të tokave, mungesës së sistemit kullues e mbulesës bimore”, shprehet Luan Ahmetaj, ekspert mjedisi.
Por erozioni nuk është i vetmi kërcënim ndaj tokës. Ndotja si pasojë e praktikave të nxjerrjes së naftës e gazit në zonat ku nëntoka është e pasur me hidrokarbure, si Patos-Marinza, është një tjetër fenomen që po çon në degradimin më të lartë të saj.
“Tokat në këtë zonë janë të ndotura nga nafta, madje edhe uji i pijshëm është i ndotur. Kjo ndikon në cilësinë e prodhimit, ujit dhe ajrit dhe për pasojë edhe cilësinë e jetës së banorëve, por edhe elementet kimikë e biologjikë të tokës, këtu është shkalla më e lartë e degradimit”, tha Ahmetaj.
Ekspertët thonë se është më shumë se emergjente ndërhyrja me projekte të cilat mundësojnë rehabilitimin e këtyre sipërfaqeve dhe dekontaminimin e tyre.
“Këto metoda duhet të jenë jo vetëm për tokat e ndotura nga hidrokarburet, por ato të ndotura nga metalet e rënda, me qëllim që ne t’i kthejmë këtyre tokave pjellorinë e tyre”, thotë eksperti i mjedisit.
Top Channel