Farmacistët duhet të dalin në pension, urdhri i ri shkakton reagime

16/06/2015 00:00

Farmacistët shprehen të revoltuar lidhur me ndryshimet e kryera në Statutin e Urdhrit, ku një ndër pikat që lidhet me të drejtën e ushtrimit të profesionit të drejtuesit teknik, diskrimon ata që mbushin moshën e pensionit dhe që nuk janë të vetëpunësuar, ndërsa ata që kanë biznesin e tyre lejohet ta ushtrojnë këtë profesion.

Kjo pikë e nenit 19 të ndryshimeve të bëra në statut prek një numër të konsiderueshëm faramcistësh dhe hyn në fuqi në 1 korrik 2015, çka i detyron ata të lënë vendin e punës.

“Natyrisht mua nuk më duket e arsyeshme. Kuptohet, nuk jam dakord me këtë mënyrë, sepse çdo njeri ka të drejtë të ushtrojë profesionin, përderisa zbaton rregullat dhe ligjet në Shqipëri. Në shtetet e tjera të Europës, si Gjermani apo Itali, nuk ka limit”, thotë farmacisti Fatos Kadesha.

Janë të shumtë farmacistët që ankohen në lidhje me ndryshimet në statut, por nuk preferojnë të flasin me kamera. Ata thonë se Këshilli Kombëtar i Urdhrit as nuk është konsultuar me ta dhe se i ka njoftuar vetëm nëpërmjet faqes zyrtare të Urdhrit.

Ndërkohë që nëpërmjet ankesave me shkrim, një grup farmacistësh i janë drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë. Nga ana tjetër, edhe përfaqësuesi i ministrisë në Këshillin Kombëtar të Urdhrit nuk është thirrur në këtë mbledhje, kur janë vendosur ndryshimet.

Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj sqaron se në plan të parë ndryshimet në statut kanë kapërcyer ligjin e barnave, i cili ka të shprehur qartë kriteret e drejtuesit teknik.

Pasi të jetë shqyrtuar me detaje do t’i kërkohet Këshillit Kombëtar të Urdhirt të rishikojë vendimin e tij.

“Në një vlerësim të parë, na rezulton që ajo çfarë është vendosur në Këshillin Kombëtar të Urdhrit, që është një institucion ku ministria nuk është prezente dhe nuk urdhëron se çfarë bëhet… konstatojmë se kanë tejkaluar çfarë përcakton ligji për barnat dhe shërbimet farmaceutike. Neni 40 i ligjit 105/ 2014, i miratuar vjet, përcakton kriteret dhe nuk i ka lënë Urdhrit kompetencë të shtojë kritere të tjera. Nëse ne do të jemi në gjykim përfundimtar që kjo gjë tejkalon kompetencat e Këshillit Kombëtar të Urdhrit, do t’i kërkojë Urdhrit ta rishohë vendimin e tij”, tha Beqaj.

Çdo organ, i cili ka një statut të tij, duhet ta hartojë atë në përputhje me atë çka i lejon ligji dhe jo të kapërcejë kriteret e përcaktuara në të.

Top Channel